Një nga të mbijetuarit e aksidentit tragjik në Rumani, ku humbën jetën 7 persona, ka dhënë dëshminë e tij tronditëse nga spitali. I plagosuri ka bërë me dije se ndodhet në gjendje të stabilizuar shëndetësore dhe se mban mend çdo moment të ngjarjes.
Ai tha se nuk humbi ndjenjat në asnjë moment dhe se është i vetëdijshëm për gjithçka që ndodhi, ndërsa shprehu dhimbjen për humbjen e miqve të tij, me të cilët udhëtonte.
“Mbaj mend gjithçka. Nuk humba ndjenjat për asnjë moment. Ende nuk e kuptoj si furgoni përfundoi në korsinë e kundërt. Kishte kohë për të reaguar, por gjithçka ndodhi shumë shpejt”, u shpreh ai.
I plagosuri tregoi se ndodhet i vetëm në spital, pa njohuri të gjuhës rumune, por ka mësuar se dy të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas tij, mjekët i kanë konfirmuar se gjendja e tyre është e mirë dhe se ka mundësi që të gjithë të kthehen së shpejti me avion.
“Kam disa fraktura dhe thyerje, por jam mirë. Më e rëndësishmja është që shokët e mi janë gjallë”, tha ai.
Aksidenti ndodhi të martën në një segment të rrezikshëm rrugor në Rumani, disa kilometra pas Caraseves. Gjatë një tentative për parakalim, furgoni me të cilin udhëtonin doli në korsinë e kundërt dhe u përplas ballë për ballë me një kamion. Përplasja ishte fatale, duke shkaktuar vdekjen e 7 personave dhe plagosjen e tre të tjerëve.
