Sulmet e fundit në Kosovë ende nuk janë zbardhur. Por një gjë është e qartë, Beogradi nuk është i interesuar për stabilitet në Kosovë. Ndërsa BE po “vëzhgon” gjendjen
Javën e kaluar, Republika e Kosovës përjetoi një seri sulmesh: së pari, granata dore shpërthyen pranë stacionit policor të Kosovës në Zveçan në veri të vendit, i populluar kryesisht me serbë. Disa ditë më vonë, një granatë dore shpërtheu në bashkinë e Zveçanit. Menjëherë pas kësaj, një shpërthim dëmtoi një kanal të rëndësishëm uji jo larg qytetit të Mitrovicës, i cili është i rëndësishëm për furnizimin me ujë të banorëve të veriut të Kosovës dhe për ftohjen e termocentralit.
Ende është e paqartë se kush qëndron pas sulmit. Qeveritë e Serbisë dhe Kosovës akuzojnë njëra-tjetrën për përgjegjësi. Por sulmi në kanalin Ibër-Lepenc u dënua nga Bashkimi Evropian si një “sulm terrorist”: “Është një akt i neveritshëm sabotimi kundër infrastrukturës kritike civile të Kosovës,” tha shefi i politikës së jashtme të BE-së në largim, Josep Borrell.
Pavarësisht nga rezultati i hetimeve, mund të thuhet se nga viti 2022 ka pasur një sërë veprimesh dhe kërcënimesh të dhunshme nga Serbia kundër Kosovës. Në shtator të vitit të kaluar, një grup paraushtarak i infiltruar nga Serbia dhe i armatosur me armët e forcave të armatosura serbe sulmoi policët e Kosovës. Një polic dhe tre sulmues u vranë në një “akt terrorist” të dënuar nga BE. Brukseli kërcënoi me sanksione, por kaq ishte. Më vonë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq i zhvendosi forcat e tij të armatosura afër Kosovës. Vetëm ndërhyrjet e SHBA-së dhe NATO-s e detyruan Vuçiqin të ndalonte tanket e tij. Një skenar i ngjashëm ka ndodhur edhe në dhjetor 2022.
