Javët e fundit po flitet për një arrestim të mundshëm të ish-presidentit Ilir Meta. Tre dosjet e tij penale më të nxehta, pastrimi i parave, lobimi dhe CEZ-DIA janë gati të shpërthejnë dhe karta e fundit e që i mbetet Ilir Metës për të shpëtuar nga një arrestim i mundshëm është azili. Edhe pse thotë në publik se do të përballet me drejtësinë, asnjë gjë nuk është e pamundur pasi në konferencën e djeshme me gazetarët Ilir Meta ka njoftuar një tur të papritur takimesh me emigrantët jashtë Shqipërisë. Nuk përjashtohet që ish-presidenti të vendosë në zbatim planin e arratisjes së tij. Në një konferencë për gazetarët, Meta tha se Partia e Lirisë është pro votës së diasporës. Ai zbuloi dhe shtetet që do të vizitojë. “Pa asnjë diskutim, mezi po presin çunat në Angli, Uells, lërë në Glasgou. Javë shumë e rëndësishme për ne. Ka një shpërthim të diasporës dhe ne kemi një organizim të ri, do ketë shpërthime në Athinë, Selanik, gjithandej. Ata e dinë shumë mirë kush i ka përzënë dhe kush do i kthejë në vendin e tyre”, tha Meta për gazetarët. Adriatik Llalla i iku drejtësisë dhe u strehua në Itali, ndërkohë që duhet theksuar se ai ishte besnik i Metës dhe i Berishës. Nga ana tjetër kemi mikun e Metës, ish-kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski që mori azil në Hungari. Pra sinjalet janë se dhe presidenti mund të shkojë drejt kësaj rruge. Është folur shpesh se mund të shkojë te rusët, ndërkohë ditët e fundit janë dhënë sinjale se Meta ndoshta po kërkon dhe këto vende që ai vetë i përmendi.
Hetimet e SPAK
Thuhet se ajo që po vonon goditjen e SPAK ndaj familjes “Meta”, janë provat e reja që janë gjetur te pasuritë e familjarëve të tyre. Mësohet se hetimet po thellohen pasi “Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë kamufluar një pasuri me vlerë miliona euro nga Sauku, zona përballë TEG, “Rruga e Elbasanit”, Mëzez deri në Gjirin e Lalzit, në emrin e Fatime Kryemadhit (nëna e Monikës), Drini Kryemadhi (vëllai i Monës), Rexhep Metaj (babai i Metës). Edhe pse si të ardhura të ligjshme kanë dy pensione dhe një pagë si inxhinier, tre të afërmit e çifti Meta-Kryemadhi kanë në pronësi të paktën 17 pasuri, ku përfshihen vila, pallate dhe toka.
Pasuria
Babai i Ilir Metës, Rexhep Metaj, rezulton pronar i një apartamenti në Gjirin e Lalzit, me sipërfaqe 76 m2, me vlerë 60 mijë euro. Ky apartament është blerë në gusht të vitit 2023. Së pari, në Gjirin e Lalzit një apartament 76 m2 nuk kushton 60 mijë euro. Me 60 mijë euro mund të blesh një garazh, por jo apartament. Së dyti, edhe sikur SPAK dhe publiku të besojë se apartamenti paskërka kushtuar 60 mijë euro, nuk dihet se cili është burimi parave. Babai i Ilir Metës ka si të ardhura të ligjshme një pension, por që nuk mjafton as për shpenzimet mujore. I pyetur për këtë pasuri, Meta tha se babai i tij ka shitur te Pazari i Ri dhe se shtëpinë e ka blerë me të ardhurat e së bijës, e cila e cila ka punuar me institucione ndërkombëtare. “Për pronësinë e kujt, në Gjirin e Lalzit. Të shkojnë ta sekuestrojnë dhe tja falin Dumanit. Babi im është një i nderuar nuk është legen si Dumani. Babai im kur unë isha kryeministër ai shiste te Pazari ri. Nëse ka ndonjë problem me babain tim le t’i marrin pasurinë, babait tim, nënës dhe motrës. Ata nuk shkojnë të arrestojnë Erion Veliajn po kërkojnë gjëra të tjera. Babai im s’ka lidhje me mua. Ai jeton me motrën time, e cila ka punuar me institucione ndërkombëtare. Mos ma përmend babain se e kam sëmurë. Ti arrestojnë të gjithë mua më kanë këtu“, tha Meta. Babai i Ilir Metës, Rexhep Metaj rezulton bashkëpronar edhe një i apartamenti 77 m2 në Tiranë, blerë me sa duket që në kohën e komunizmit. Nëse babai i Metës ka shitur te Pazari i Ri, vjehrra e tij, nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi ka shitur qepë në Qytetin Studenti, siç e kujton shoqja e saj, ish e përndjekura politike A. Lubonja.
