Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku po zhvillohen hetime të thelluara për abuzime të dyshuara me një sërë tenderash me vlerë miliona euro të zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.
SPAK po heton 12 procedura tenderuese që lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave dhe sistemeve të rëndësishme të informacionit. Sipas të dhënave paraprake, kriteret teknike të tenderave dyshohet se janë paracaktuar nga vetë kompanitë pjesëmarrëse, duke krijuar kushte për fitimin e kontratave me vlera të mëdha financiare.
Një nga biznesmenët nën hetim: Ermal Beqiri
Ndër emrat që kanë rënë në sy gjatë hetimeve është biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, një prej operatorëve që ka fituar tenderë të rëndësishëm të AKSHI-t. Beqiri është pyetur më herët në SPAK, ndërsa kompania e tij rezulton të jetë ndër përfituesit madhorë të kontratave të kësaj agjencie.
Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, hetuesit e SPAK kanë marrë në pyetje 25 zyrtarë të AKSHI-t, kryesisht anëtarë të Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave dhe Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, të cilët kanë firmosur apo mbikëqyrur procedurat e prokurimit.
AKSHI në qendër të akuzave për tenderat korruptivë
Agjencia e Shoqërisë së Informacionit është prej kohësh në fokus të akuzave për abuzime me tendera. Një prej rasteve më të përfolura lidhet me ish-zyrtarin Daniel Shima, i cili u zhduk për 10 orë pasi kishte dhënë dëshminë e tij në SPAK lidhur me tenderat e dyshimtë të institucionit.
Rasti i tenderit për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile
Partia Demokratike ka denoncuar më herët një procedurë të rëndësishme prokurimi të zhvilluar nga AKSHI me objekt “Përmirësimi i Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile”.
- Në qershor 2024, tenderi me fond limit 3.8 milionë euro u anulua për mungesë të ofertave të përshtatshme.
- Në shtator 2024 u rishpall, këtë herë me fond 3.6 milionë euro, përfshirë:
- 2.5 milionë euro për implementim (12 muaj)
- 1.1 milionë euro për mirëmbajtje (24 muaj)
Në këtë procedurë u paraqitën tre kompani:
- XION IT SYSTEMS GMBH – 2.7 milionë euro
- Soft & Solution – 3.1 milionë euro
- ATOM – 3.4 milionë euro
Dy ofertat më të ulëta, përfshirë XION IT SYSTEMS, u skualifikuan për mungesë dokumentacioni, ndërsa fituese u shpall Soft & Solution, kompania e Beqirit, me 3.1 milionë euro.
Tenderi i dytë: 1.9 milionë euro vetëm për mirëmbajtje
Vetëm një muaj pas shpalljes së fituesit, AKSHI hapi një tjetër procedurë për mirëmbajtjen e të njëjtit sistem, këtë herë me fond 1.9 milionë euro, ku i vetmi pjesëmarrës dhe fitues u shpall XION IT SYSTEMS GMBH.
Sipas PD-së, kombinimi i dy procedurave e çon fondin total shumë më lart se parashikimi fillestar prej 3.8 milionë euro, duke ngritur dyshime të forta për fragmentimin e procedurave dhe mbivendosjen e kostove.
PD: Beqiri ka marrë mbi 30 milionë euro nga AKSHI
Sipas verifikimeve të Partisë Demokratike:
- Kompania Soft & Solution ka përfituar mbi 30 milionë euro nga AKSHI
- Vetëm në vitin 2024, vlera e kontratave arrin në 22.7 milionë euro
- Ndërsa kompania austriake XION IT SYSTEMS ka fituar disa tendera të mirëmbajtjes me vlerë të përsëritur 1.9 milionë euro në vitet 2020, 2022 dhe 2024
PD ka kërkuar nga SPAK të hetojë lidhjet mes tenderave, kompanive përfituese dhe zyrtarëve të AKSHI-t, si dhe të zbardhë përfituesit finalë të këtyre fondeve.
