Rexhino Pepaj, 34 vjeç nga Berati, ka rrëfyer momentet e dhunës që thotë se ka përjetuar mbrëmjen e djeshme gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë në Tiranë.
Anëtar i degës së Partisë Demokratike në Berat, Pepaj ishte nisur pasditen e djeshme drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar protestës. Pas përfundimit të tubimit, ai pretendon se është marrë me forcë nga policia, është tërhequr zvarrë dhe është futur në një furgon policie, ku ka qenë subjekt i dhunës fizike.
Sipas dëshmisë së tij, gjatë protestës policia i ka hedhur gaz lotsjellës me piper në sy, çka e ka bërë të humbasë ekuilibrin dhe të bjerë në tokë. Më pas, thotë ai, është goditur sërish gjatë shoqërimit në furgon dhe më pas në ambientet e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, ku është mbajtur për rreth katër orë.
Pepaj deklaron se edhe brenda komisariatit ka qenë objekt dhune, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar, pasi vuan nga astma. Sipas tij, vetëm pasi policia ka konstatuar rëndimin e gjendjes, i është kërkuar të largohet dhe të shkojë në spital.
Aktualisht, 34-vjeçari ndodhet në Repartin e Urgjencës së Spitalit Rajonal të Beratit, ku po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore. Ai shprehet se ka probleme me frymëmarrjen dhe shikimin, ndërsa në spital është dërguar nga miqtë e tij.
Rasti është denoncuar publikisht edhe nga kryetari i degës së Partisë Demokratike në Berat, i cili ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësi për dhunën e ushtruar.
