Gjykata në Romë do të vendosë sot nëse ndalimi i emigrantëve të huaj që u sollën në Shqipëri është i drejtë apo jo. Disa javë më parë gjykata italiane rrëzoi marrëveshjen Rama- Meloni për emigrantët, teksa vendosi anulimin e vendimit të ndalimit të 12 refugjatëve, duke bërë që ata të riktheheshin sërish në Itali. Ndërkohë, tre ditë më parë në Shëngjin anija “Libra” solli 8 emigrantë, por dy prej tyre u kthyen sërish në Itali për shkak se u konstatuan me probleme shëndetësore. Ndërsa në qendrën italiane të paraburgimit në kampin e Gjadrit ndodhen 6 emigrantë. Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi ka theksuar se ky operacion do të vijojë. “Ne jemi të bindur se gjithçka është në përputhje me ligjin evropian. Ka gjyqtarë që po vendosin në një mënyrë të caktuar, ne nuk pajtohemi me këto vendime dhe i kemi kundërshtuar”, ka thënë ai, raporton “Sky tg24”.
Reagon opozita
Një delegacion parlamentar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja 5 Yjet dhe përfaqësues të shoqatave të Tryezës së Azilit dhe Imigracionit ndodhen në terren në një mision monitorimi për të verifikuar kushtet e qendrave: hapësirat e banimit, tualetet dhe respektimin e procedurave ligjore dhe ndërkombëtare. Alfonso Collucci i “Lëvizjes 5 Yjet” e krahasoi ambientin me një burg ndërsa akuzoi qeverinë Meloni për shpërdorim të taksave të qytetarëve italianë. “Këtu të duket sikur je jashtë humanizmit. Të mendosh që këto struktura do kushtojnë 800 milionë euro në 5 vite, shto edhe kostot e mirëmbajtjes dhe 9 milionë euro vetëm për transportin. Për këtë të vjen keq, taksat e italianëve po harxhohen dhe nuk po investohen në Itali për shërbimin e sigurisë në vend, për qytetarët e Italisë.
Të vjen keq vërtet, sepse këtu duket më shumë si një mbajtje në burg e këtyre personave, sepse ju kujtoj që e thotë edhe protokolli shqiptar, që këta persona nuk mund të dalin. Pra kemi një formë të rëndë të mbajtjes tyre të mbyllur. Qeveria Meloni hedh paratë e italianëve nga dritarja”, tha Collucci për mediat. Ndërsa deputetja Rachele Scarpa e Partisë Demokratike, u shpreh se një nga emigrantët u kthye mbrapsht për shkak se u konstatua se vuante nga shëndeti mendor. Deputetja ngre pyetjen se si është e mundur të mos vihej re ky problem gjatë procesit të verifikimet. “Zbuluam nacionalitetin dhe gjendjen e personit që dje u kthye sërish në Itali dhe bëhet fjalë për një egjiptian. Kishte problem psikiatrike dhe u kthye mbrapsht. Këtu pyesim se si ishte e pamundur mos të vihej re kjo gjë gjatë procesit të verifikimit, para se të hipte në anije”, u shpreh Scarpa.
Çfarë ka ndodhur?
Grupi i parë i emigrantëve të cilët mbërritën më 16 tetor qëndruan vetëm tre ditë në Shqipëri, pasi Gjykata e Romës detyroi Italinë të kthejë mbrapsht kontingjentin e azilkërkuesve, me argumentin se nuk vinin nga vende të sigurta. Kjo detyroi më pas qeverinë Meloni të bëjë disa ndryshime me listën e shteteve që i njeh si të sigurta, ku nga 21 shtete hoqi vetëm tre prej tyre. Kjo manovër u bë për të shpëtuar marrëveshjen miliona euroshe me Shqipërinë dhe në rast se gjykata e Romës vendos nesër rikthimin e emigrantëve sërish në Itali do të ishte një goditje e madhe për qeverinë italiane pasi kjo do të shënonte fundin e planit të Melonit për të luftuar emigracionin e parregullt me dërgimin e azilkërkuesve jashtë BE-së me vende si Shqipëria.
