Profesori dhe analisti i njohur amerikan Edward Joseph raportoi para Komitetit për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, gjatë diskutimeve mbi zhvillimet në Ballkan. Në fjalën e tij, ai vuri theksin te situata në Shqipëri, duke ngritur shqetësime të forta për funksionimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit.
“SHBA dhe BE mbështesin gjyqësorin e pavarur, por problemi qëndron tek pluralizmi”
Joseph theksoi se SHBA dhe partnerët evropianë kanë investuar për vite me radhë në reformën në drejtësi dhe në një gjyqësor të pavarur në Shqipëri. Megjithatë, ai paralajmëroi se pluralizmi politik në vend ka rënë ndjeshëm, duke cenuar ekuilibrin demokratik.
“Shtetet e Bashkuara dhe shtetet kryesore të BE-së prej kohësh kanë mbështetur përpjekjet për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur, të besueshëm dhe efikas në Shqipëri. Por të dhënat sugjerojnë një stok të fryrë çështjesh të mbetura pezull, që i lënë qytetarët të presin me vite për një vendim.”
Sipas tij, këto vonesa “minojnë besimin publik dhe të drejtën për proces të rregullt ligjor”.
Shqetësime për zgjedhjet dhe situatën politike
Eksperti amerikan iu referua edhe raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e majit, i cili identifikoi një sërë problematikash me procesin zgjedhor:
- frikësim dhe presion ndaj votuesve dhe punonjësve publikë
- keqpërdorim të burimeve shtetërore
- blerje votash
- cënim të sekretit të votës
Joseph theksoi se këto gjetje tregojnë probleme më të thella sistemike që lidhen me funksionimin e pluralizmit politik në vend.
“Uashingtoni duhet të ngrejë pyetje të forta për sundimin e ligjit në Shqipëri”
Megjithëse e përshkroi Shqipërinë si “aleate të besueshme të NATO-s dhe partnere të SHBA-së”, Joseph u shpreh se administrata amerikane duhet të kërkojë përgjigje për disa shqetësime të rëndësishme:
- integriteti dhe efikasiteti i gjyqësorit
- arrestimet dhe ndjekjet penale të figurave të opozitës
- rënia e pluralizmit politik
- çështjet e sundimit të ligjit
“Uashingtoni duhet të ngrejë pyetje lidhur me sundimin e ligjit dhe efikasitetin e gjyqësorit, arrestimet e liderëve të opozitës dhe rënien e pluralizmit politik.”
Shqipëria, “në një moment kyç drejt BE-së”
Sipas Joseph, Shqipëria po bën “përparime mbresëlënëse” në rrugën drejt anëtarësimit në BE pas zhbllokimit të procesit të Maqedonisë së Veriut, por theksoi se pa sundim të fortë të ligjit dhe garë të vërtetë politike, progresi mbetet i brishtë.
