Dhjetëra udhëheqës të vendeve evropiane përfshirë ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor u zotuan të enjten për bashkëpunim të shtuar në përgjigje të, siç thanë regjimeve autoritare si ai në Rusi që vënë në rrezik rendin ndërkombëtar.
Zotimet u bënë në hapje të takimit të pestë të Komunitetit Politik Evropian, i cili po zhvillon punimet në Budapest të Hungarisë, një ditë pasi Donald Trump u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu bindjen se Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen e administratës së re amerikane në proceset integruese, duke theksuar se një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është thelbësor për paqen dhe sigurinë në botë.
“Si shtet që kemi përfituar aq shumë nga ky partneritet euroatlantik, besoj se zgjedhja e zotit Trump si President do ta thellojë këtë marrëdhënie dhe pa dyshim të gjithë ne duhet të kontribuojmë për këtë. Kosova ka gëzuar mbështetjen dypartiake nga çdo administratë amerikane që nga vitet e ’90-ta. Kemi qenë të bekuar me këtë mbështetje prandaj kemi çdo arsye të besojmë se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe me administratën e re Trump”, tha ajo.
