Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i hartuar nga BE, Kosova: Nuk është obligues për vendin tonë

Data

Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga Bashkimi Evropian, nuk është obligues për vendin tonë, thonë në Qeverinë e Kosovës.

Sipas tyre, ky dokument, të cilin e kualifikojnë si “non-paper”, nuk do të dërgohet në Kushtetuese pavarësisht insistimit të BE-së dhe vendeve partnere të Kosovës.

Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, në një intervistë, thotë se draft-statuti i Asociacionit, i dorëzuar nga BE-ja më 26 tetor 2023, ka mundur të marrë karakter obligues nëse Serbia do të kishte pranuar që të nënshkruhet Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, të dakorduar po ashtu vitin e kaluar.

Përkitazi me këtë, ai thotë se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja ka mbetur si një propozim pa asnjë detyrim dhe obligim për Kosovën.

“Vitin e kaluar, ju e mbani mend që më 26 tetor u pati ofruar nga kryeministri që të nënshkruhet marrëveshja në mënyrë që të drafti që ata e kanë propozuar të merrte edhe epitetin e një obligimi që pastaj do të kthehej për Kosovën. Mirëpo, Serbia refuzoi që të nënshkruajë dhe ju e dini që qëndrimi i kryeministrit ka qenë që pa nënshkrim s’ka pranim. Rrjedhimisht, kur Serbia ka refuzuar të nënshkruajë ajo nuk e ka pranuar. Drafti nuk është pranuar dhe ka dështuar që të merr një formë të obligimit ndaj Kosovës. Prandaj edhe quhet non-paper sepse nuk është obligues, pasi nuk është nënshkruar dhe nuk është pranuar. Si mund ta quajmë një draft të tillë. Nuk mund të dërgohet pasi nuk është pranuar dhe është refuzuar me 26 tetor. Ka kaluar ajo ditë dhe ajo kohë. Ka qenë oferta e nënshkrimit dhe Serbia e ka refuzuar. Tani nuk mund të kthehesh në një obligim dhe ta bësh të detyrueshëm një draft që Serbia e ka refuzuar dhe s’ka dashur të pranojë atë draft. Ai ka mbetur tashmë në atë formë si një propozim pa një detyrim dhe obligim pasi s’ka arritur që të përkthehet si një i tillë”, thekson Zulfaj.

Ai akuzon Serbinë për destruktivitet në dialog dhe moszbatim të marrëveshjeve, ndërsa pret qasje të re në proces nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes dy vendeve edhe pse për momentin nuk janë planifikuar takime të nivelit të lartë në Bruksel.

Në anën tjetër, Zulfaj e sheh si pengesë dialogun në disbursimin e milionave eurove për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related