Ndryshimet në buxhet, Manastirliu: Arsimit i shtohen 450 mln lekë për financimin e sistemit dhe për pagat për mësuesit

Data

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, deklaroi dje në Kuvend se mësuesit dhe punonjësit në sistemin arsimor janë sot më të motivuar për shkak të mbështetjes së rëndësishme që kanë marrë nga qeveria. Gjatë diskutimit të Aktit Normativ të Qeverisë për disa ndryshime në Buxhetin e Shtetit, Manastirliu theksoi se, “me ndryshimet e propozuara në buxhet, janë shtuar 450 milionë lekë në financimin e sistemit arsimor, si dhe për mbështetje në paga për mësuesit. Nëse kemi sot mësues të motivuar, kjo është për shkak të mbështetjes që kanë patur, duke përfshirë rritjen e pagave, e cila ka qenë më e larta ndonjëherë.” Manastirliu nënvizoi se rritja e pagave është bërë në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, duke arritur në një mesatare prej 950 eurosh për mësues.

“Pagat janë rritur jo vetëm për 31,000 mësuesit e sistemit arsimor, por edhe për punonjësit e kopshteve dhe çerdheve, si dhe oficerët e sigurisë në shkolla. Reforma e pagave ka prekur të gjithë ata profesionistë që sot janë jo vetëm më të motivuar, por gjithashtu u është rritur dinjiteti”, tha ajo. Manastirliu theksoi gjithashtu se një fokus i veçantë është vendosur në shtimin e laboratorëve SMART. “Mësuesit dhe nxënësit sot janë më të motivuar, jo vetëm për shkak të infrastrukturës në shkolla, por edhe për shkak të zgjerimit të laboratorëve SMART. Janë shtuar 216 laboratorë të rinj, duke përfshirë 35,000 fëmijë të arsimit fillor në kurrikulën e re të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”, theksoi Manastirliu.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related