Pas kërcënimeve të politikës, gati “fortifikimi” i SPAK, pritet errësim xhamash dhe dyer “antipanik”, Berisha-Meta paralajmërojnë se do dhunojnë godinën e Prokurorisë së Posaçme

Data

Rithemelimi dhe Partia e Lirisë vijojnë sulmet dhe kërcënimet ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti i PL, Ilir Meta kanë llogari të hapura me drejtësinë, pasi akuzohen dhe dyshohet se janë përfshirë në afera korruptive dhe kriminale. Por marrja nën hetim e tyre nga SPAK, duket se nuk po kapërdihet nga ithtarët të Berishës dhe Metës, të cilën thuajse çdo ditë kërcënojnë hapur prokurorët specialë. Konkretisht Rithemelimi ka kërcënuar hapur dje SPAK-un se do ta rrethojë nëse nuk arreston kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Deklarata është bërë nga Adriana Kalaja, e cila është edhe anëtare e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, gjatë protestës së shtatë para Bashkisë së Tiranës. “Qytetarët janë të gatshëm të shkatërrojnë çdo mur korrupsioni. Qytetarët janë aq të aftë që të shembin çdo pengesë që i ndalon atyre të ushtrojnë të drejtat e tyre. Qytetarët janë aq të aftë sa të bëjnë dallimin mes atyre që vihen në krah të të korruptuarve dhe vrasësve dhe atyre që jetojnë me djersën e ballit. Ne sot treguam që do jemi këtu. I bëj thirrje Altin Dumanit, mos e ço situatën deri në pikën që të vijmë të rrethojmë edhe SPAK. Merr masa që të arrestosh Veliajn. Ne do të vijmë të rrethojmë SPAK-un deri sa ti të zbatosh ligjin, deri sa ti të zbatosh Kushtetutën. Arresto Erion Veliajn”, deklaroi ajo. Po ashtu, zonja Kalaja ka kërkuar arrestimin e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani. “Do të vijë dita që do të arrestojmë ty Altin Dumani”, kanë qenë fjalët e Kalasë. Mandej, ajo ka vijuar sulmin, duke treguar se cila është arsyeja e vërtetë e protestave para Bashkisë së Tiranës. “Pse lideri i opozitës, Sali Berisha, qëndron në arrest shtëpie? A e keni pyetur veten sa është rroga e Altin Dumanit?”, nënvizoi ajo. Por këto deklarata të forta të zonjës Adriana Kalaja, vijnë pas kërcënimeve që kreu i Rithemelimit, Sali Berisha dhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kanë bërë ndaj prokurorëve të SPAK e veçanërisht ndaj drejtuesit të këtij institucioni, Altin Dumani në mënyrë sistematike muajt e fundit.

Berisha sulmon gjyqtaren që e la në “arrest shtëpie”

Ndërkohë ditën e djeshme duke folur nga ballkoni i banesës ku qëndron i izoluar, ish-kryeministri Sali Berisha hodhi akuzua të forta ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme (GJKKO), Irena Gjoka që e ka lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. “Sot dua të përshëndes protestuesit në betejën e tyre të fuqishme, mosbindjen civile që zhvilluan tek bashkia e Tiranës. Sot ju faktuat se nuk ka barrikadë që t’u pengojë ju pa ndëshkuar hajdutin dhe se fitorja është në pëllëmbë të dorës. Se fati ynë është në dorën tonë. Sikundër, dua t’u garantoj ju dhe mikun tonë të shquar se masat e pashembullta në historinë e Europës, vendosja e masave kufizuese nga afërmendshi, pa pyetur parlamentin, por konsideron Irena Gjokën ligj dhe parlament, pavarësisht nga këto, pavarësisht nga tmerri i Edi Ramës nga kthimi i Sali Berishës, pavarësisht nga çdo masë që do marrin, ne ecim të sigurt drejt qeverisë teknike. Ecim të sigurt drejt zgjedhjeve të reja. Idealet tona, fuqinë e tyre nuk ka forcë në botë ta mposhtë. Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme ndaj jush, ndaj mikut tonë. Fitore, fitore, fitore”, deklaroi Berisha.

Kërcënimet nga politika dhe krimi, SPAK vihet në lëvizje

Ndërkaq edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) është vënë në lëvizje pas kërcënimeve që vijnë nga politika dhe krimi organizuar, teksa ka nisur punën për t’u “fortifikuar”. Errësim xhamash, blerje gomash, bateri të reja për makinat dhe dyer anti-panik. Janë këto disa nga procedurat tenderuese të hapura nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ditët e fundit. Në Agjencinë e Prokurimit Publik është depozituar kërkesa e SPAK për të errësuar me 50 për qind xhamat anësorë dhe 90 për qind ata të pasmë të një automjeti tip “Skoda Oktavia”. Ndërkohë Prokuroria e Posaçme kërkon të blejë një bateri për automjetin tip “Ford Tranzit”. Në dokumentin që shoqëron procedurën tenderuese kërkohet që bateria e lloji “AGM” me vlerë rreth 300 euro të ketë 2 vjet garanci. SPAK kërkon gjithashtu të blejë 8 goma për dy automjete tip “Ford Mondeo” të vitit 2019 dhe po aq për dy “Mercedez Benz” të viteve 2019 e 2015. Në dokumentet e depozituara në APP specifikohet se kompania fituese, veç montimit do të duhet të bëjë e konvergjencën e gomave. Më herët, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkoi dhe bleu një derë anti-panik duralumin me dy kanata. Dera ngjyrë gri, me manjet dere për chek-in kushtoi 278 mijë lekë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related