Analistja Anduena Llabani, e ftuar në një studio televizive, foli mbi dosjet e nxehta që janë në SPAK, për të cilat pritet një konkludim i hetimeve. Llabani theksoi se “tavën” e SPAK-ut ka edhe njerëz të tjerë me influencë të akuzuar për afera korruptive.
Ajo shtoi se ka procese të tjera në hetim ndaj kryebashkiakut të Tiranës Veliaj. Po ashtu Llabani vuri në dukje se Dritan Agolli, kreu i FSHZH dyshohet se ka përfituar para publike përmes kompanisë që ai drejton.
“Amalgama e gjithë çështje që ka sot SPAK-u lidhet jo vetëm me krimin e organizuar dhe grupeve kriminale, që janë rishfaqur nga platformat Sky Enkro, por kemi edhe korrupsionin në nivele të larta të administratës. SPAK-u ka shkelur deri diku pandëshkueshmërinë. Ka shkuar te peshqit e vegjël, te peshqit e mëdhenj. Në tavën e SPAK-ut janë edhe njerëz të tjerë me influencë të akuzuar për afera korruptive, duke shpërdoruar jo vetëm fondet e shtetit, por edhe të BE.
Për Frida Krifcën SPAK-u i ka arritur të gjitha afatet për të konkluduar nëse kemi të bëjmë me një korrupsion. Vazhdon hetimi. Di të them që në ditët e para kur BE dhe prokurorë belg sollën një kërkesë në SPAK kërkuan që gjithë fondet që i janë dhënë këtij institucioni të kthehen mbrapsht dhe autoriteti të shkojë para drejtësisë. Ish-ministrja është emëruar në një postë shumë të ulët pranë kryeministrit dhe askush nuk flet më çfarë po ndodh me këtë personazh. Përfituan oligarkët, njerëz pranë pushtetit, biznesmenë. Në dijeninë time ka shumë politikanë. U janë dhënë para biznesmenëve afër pushtetit, njerëzve që kanë media, për të ndërtuar edhe rezorte. Ka të tjera procese në hetim në lidhje me veprimtarinë e Veliajt gjatë kohës që ka drejtuar Bashkinë e Tiranës. Për më shumë se dy muaj oficerë të BKH janë zhvendosur në zyrat e bashkisë, duke mbledhur informacion për procedurat e kryera nga kryetari i bashkisë.
