Viti 2026 pritet të jetë një nga më intensivët për drejtësinë shqiptare, me një numër rekord zyrtarësh të nivelit të lartë që do të përballen me Gjykatën e Posaçme. Në bankën e të akuzuarve nuk janë vetëm ish-funksionarë, por edhe figura që kanë qenë ose janë ende në detyrë.
Zyrtarë të lartë nën akuzë
Gjatë vitit 2025, Prokuroria e Posaçme vendosi nën akuzë dy nga zyrtarët më të rëndësishëm në detyrë: kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe zëvendëskryeministren e ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ndërsa çështja ndaj Ballukut vijon në fazën e hetimit, dosja e Veliajt pritet të jetë procesi më i bujshëm i vitit 2026 dhe një test për standardet e drejtësisë së re.
Veliaj ndodhet në arrest që prej 10 shkurtit, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Sipas akuzës, bëhet fjalë për një skemë komplekse për përfitime të paligjshme nga fondet e Bashkisë së Tiranës përmes një rrjeti kompanish dhe organizatash. Të pandehurit i kanë mohuar akuzat. Çështja ndodhet ende në seancë paraprake, e cila është zvarritur përtej afateve ligjore.
Ish-kryeministra, ish-presidentë dhe ish-ministra
Një tjetër proces i rëndësishëm është ai ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”. Gjyqi është në fazat e para dhe pritet të zgjasë edhe gjatë vitit 2026.
Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në arrest që prej tetorit 2024 për akuza korrupsioni dhe pastrimi parash. Nën akuzë është vendosur edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Pritet që gjykimi i kësaj çështjeje të nisë gjatë vitit 2026.
Në gjykim ndodhet edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, aktualisht në arrati, për disa çështje penale që lidhen me shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, po gjykohet për koncesionin e sterilizimit dhe për një tjetër aferë me fondet e Bashkimit Evropian. Proceset ndaj tij pritet të avancojnë gjatë këtij viti.
Ndërkohë, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu vijon të gjykohet për çështjen e Gërdecit, një proces që ka nisur prej vitesh dhe pritet të vazhdojë edhe në 2026.
Zyrtarë lokalë dhe dosje të bashkive
Dhjetëra zyrtarë të niveleve më të ulëta ndodhen gjithashtu në proces gjyqësor. Mes tyre janë edhe ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës të akuzuar për afera me tendera publikë, ku gjykimi po vijon me dëgjimin e dëshmitarëve.
Krimi i organizuar dhe lidhjet me politikën
Një kapitull i veçantë i dosjeve të vitit 2026 lidhet me krimin e organizuar. Hetimet e bazuara në komunikimet e koduara kanë zbuluar përfshirjen e grupeve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të drogës, pastrimin e parave dhe lidhjet e tyre me politikën, biznesin dhe institucione shtetërore.
Në gjykim ndodhen disa grupe të fuqishme kriminale, të akuzuara për vrasje, trafik droge, pastrim parash dhe korrupsion. Disa prej drejtuesve të tyre do të gjykohen në mungesë, pasi nuk janë arrestuar ende.
Një vit vendimtar për drejtësinë
Viti 2026 pritet të jetë vendimtar për besueshmërinë e reformës në drejtësi. Dosjet që do të shqyrtohen përfshijnë emra të njohur të politikës dhe krimit, ndërsa verdiktet e Gjykatës së Posaçme do të përcaktojnë nëse hetimet e bujshme do të certifikohen me dënime konkrete.
