Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me operacionin e Shteteve të Bashkuara kundër regjimit të Nicolás Maduro-s, duke e cilësuar atë si një provë se edhe diktaturat më të forta nuk janë të pathyeshme.
Sipas Balliut, ky zhvillim tregon se regjimet e ndërtuara mbi korrupsionin, dhunën dhe narkotrafikun nuk janë të përjetshme. Ai e lidh situatën në Venezuelë me realitetin shqiptar, duke theksuar se demokracia dhe sundimi i ligjit në vend janë vënë në rrezik nga një model qeverisjeje i kapur nga interesa kriminale.
Deputeti demokrat thekson se ndërhyrja e mbështetur nga administrata e Presidentit Donald Trump shërben si frymëzim për të gjithë ata që besojnë se përballja me autokracinë dhe narkoshtetin është jo vetëm e domosdoshme, por edhe e mundshme.
Sipas Balliut, ky operacion përbën një sinjal shprese për popujt që jetojnë nën diktatura të mbështetura nga krimi i organizuar dhe narkotrafiku, duke dëshmuar se liria, demokracia dhe shteti i së drejtës mund të triumfojnë përmes vendosmërisë dhe veprimit.
Në mesazhin e tij, Balliu nënvizon se kjo përballje nuk duhet të ndalet dhe se beteja kundër regjimeve kriminale mbetet një mision i domosdoshëm për të ardhmen e demokracisë.
