Numri i udhëtarëve që kaluan kufirin shqiptar duke përdorur pasaportën e një shteti tjetër arriti në gati 11.7 milionë vetë gjatë vitit 2024, me një rritje në masën 15% përkundrejt vitit 2023 por gjithsesi mbi 2.3 milionë më pak se sa shpresa e deklaruar më herët e qeverisë së kryeministrit Edi Rama për “14 milionë turistë”.
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave të premten sugjerojnë se viti 2024 nisi me rritje të konsiderueshme prej 30 apo 50% në krahasim me vitin e mëparshëm por ritmi i rritjes u ngadalësua nga muaji korrik e më pas.
Shqipëria përjetoi një bum të pazakontë në numrin e udhëtimeve në periudhën menjëherë pas pandemisë së vitit 2020. Numri i udhëtarëve ishte 6.4 milionë më 2019, pra para pandemisë dhe u rrit në 7.5 milionë në vitin 2022 dhe 10.2 milionë në vitin 2023.
Numri i udhëtarëve me gjasa është rritur kryesisht për shkak të çmimeve të ulëta të fluturimeve ajrore të ofruara nga kompanitë me kosto të ulët gjatë viteve të fundit për herë të parë në histori. Një faktor tjetër duket se ka të bëjë me sjelljen konsumatore të periudhës së pas pandemisë, kur një numër gjithnjë e më i madh i qytetarëve të botës zgjodhën të shpenzojnë për udhëtime në vend që të kursejnë apo të shpenzojnë për gjëra të tjera dhe ku vendet me kosto të ulët patën rritje më të madhe të turistëve me kosto të ulët.
Mbi 95% e udhëtarëve drejt Shqipërisë janë nga Evropa ndërsa 72% janë nga grupi i vendeve të etiketuara si “Evropa jugore”, ku përfshihen vendet e rajonit. Pothuajse 4 nga çdo dhjetë vizitorë “të huaj” janë nga Kosova dhe 7.6% janë nga Maqedonia e Veriut.
