Dosja “Partizani”, GJKKO shtyn seancën për Berishën: Gjyqi vijon më 12 janar

Data

Seanca gjyqësore për dosjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është shtyrë sërish. Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 12 janar.

Gjatë seancës së sotme, mbrojtja e ish-kryeministrit Sali Berisha paraqiti qëndrimet e saj përpara trupës gjykuese. Avokatja Klodiana Gjyzari argumentoi se Prokuroria e Posaçme nuk ka paraqitur prova konkrete që lidhin Berishën me veprime penale.

Sipas mbrojtjes, në aktet e akuzës mungojnë fakte të qarta për veprimet konkrete që pretendohet se ka kryer Berisha, si dhe pasojat e supozuara të tyre. Avokatja theksoi se gjatë procesit gjyqësor do të provohet se ndjekja penale ka motivim politik dhe synon cenimin e pluralizmit politik në vend.

Gjyzari deklaroi gjithashtu se faktet janë shtrembëruar dhe se përgjegjësia për vendimmarrjet e kohës i atribuohet padrejtësisht vetëm ish-kryeministrit, ndërkohë që vendimet janë marrë nga organe kolegjiale.

Në argumentimin e saj, mbrojtja vuri në dukje edhe kallëzimin penal, duke theksuar se ai nuk është bërë nga një shtetas i thjeshtë, por nga një përfaqësues i shumicës politike së kohës. Sipas saj, kallëzimi është depozituar në cilësinë e funksionarit politik dhe është regjistruar menjëherë nga Prokuroria, pa u ndjekur procedura e zakonshme e nisjes kryesisht të hetimeve.

Mbrojtja pretendon se pretendimet e kallëzimit lidhen me ngjarje të vitit 2008 dhe bazohen në marrëdhënien familjare të Malltezit me ish-kryeministrin e asaj kohe, pa prova konkrete që provojnë përgjegjësi penale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related