“Çimka” në zyrë dhe bisedat që fundosën Karçanajn: Si u zbuluan takimet sekrete të AKSHI-t te Ergys Agasi

Data

Zbardhen detaje tronditëse nga dosja e Prokurorisë së Posaçme për aferën në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal rezultojnë drejtoresha e Përgjithshme Mirlinda Karçanaj, zv.drejtoresha Hava Delibashi, biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, si edhe zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili.

Sipas SPAK, hetimi ka zbuluar një skemë të mirëorganizuar abuzimi me tenderat publikë, e cila është provuar përmes përgjimeve audio dhe video të realizuara në zyrën e biznesmenit Ergys Agasi. Kamerat e fshehta, të instaluara në ambientet e zyrës së tij, kanë dokumentuar takime të shpeshta mes Agasit, Beqirit dhe Karçanajt.

Nga pamjet filmike dhe bisedat e përgjuara, rezulton se Mirlinda Karçanaj ka pasur njohje të drejtpërdrejta me Ermal Beqirin, i cili është ortak në shoqëri tregtare që merrnin pjesë dhe fitonin procedura prokurimi të zhvilluara nga AKSHI. Po ashtu, Beqiri rezulton i lidhur ngushtë me Ergys Agasin, ortak dhe pronar i shoqërisë “EA Solutions” sh.p.k.

Në dosje përmenden biseda ku flitet hapur për manipulimin e procedurave të prokurimit. Shprehje të tilla si “projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4” apo “nuk futet as në eksperiencë” interpretohen nga SPAK si prova të qarta të paracaktimit të kritereve, rritjes së fondit limit dhe eliminimit të konkurrentëve të padëshiruar.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu një konflikt të rëndë interesi: një punonjëse e AKSHI-t, pjesë e grupeve të punës për tenderat, rezulton të jetë motra e Ergys Agasit. Ky fakt, sipas SPAK, forcon dyshimet për kontroll të brendshëm të procedurave nga grupi kriminal.

Në deklarimet e saj, Mirlinda Karçanaj nuk ka mohuar njohjet me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin. Ajo ka pranuar se ka pasur marrëdhënie miqësore me Agasin dhe se e ka takuar disa herë në zyrën e tij, duke i cilësuar këto takime si private. Sa i përket Beqirit, Karçanaj ka deklaruar se e ka takuar rastësisht dhe se ka pasur një udhëtim të përbashkët në kuadër të një aktiviteti të sektorit të teknologjisë.

Megjithatë, sipas SPAK, provat filmike dhe përmbajtja e bisedave rrëzojnë pretendimet për takime rastësore, duke vërtetuar se tre personat kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm dhe në dijeni të plotë të roleve të njëri-tjetrit në skemën e prokurimeve.

Dosja konsiderohet një nga më të rëndat për AKSHI-n, pasi dokumenton jo vetëm lidhje personale, por edhe koordinim të drejtpërdrejtë për përfitime të paligjshme nga fondet publike, duke ekspozuar një mekanizëm të mirëstrukturuar korrupsioni në zemër të administratës shtetërore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related