Një ngjarje e rëndë ka tronditur sistemin e burgjeve, pasi Altin Ndoci, i akuzuar nga SPAK për vepra të rënda penale, është arratisur nga spitali rajonal i Durrësit, ku ishte shoqëruar për vizita mjekësore.
Ngjarja ndodhi gjatë paradites, kur një furgon i Policisë së Burgjeve transportoi dy të paraburgosur drejt repartit infektiv të spitalit. Ndoci, i shoqëruar nga disa efektivë, u vendos në dhomën e posaçme për vizita, ku ndodhen të paraburgosurit nën masa sigurie.
Sipas burimeve, gjatë pritjes për një rikontroll mjekësor, Ndoci kërkoi të shkonte në tualet, moment që shfrytëzoi për të vënë në zbatim planin e arratisjes. Ai sulmoi dy efektivët që e ruanin, duke arritur të largohet me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit.
Pavarësisht tentativave për ndalim, i paraburgosuri arriti të dalë jashtë godinës, ku e priste një automjet tip “Audi A7”, me të cilin u largua në drejtim të zonës së Spitallës. Ky fakt ka forcuar dyshimet se arratisja ishte e mirëorganizuar dhe me bashkëpunim të jashtëm.
Pas ngjarjes, u pezullua i gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit, ndërsa forcat operacionale nga Tirana kanë zbarkuar në paraburgim për kontrolle dhe hetime të brendshme. Po ashtu, po hetohet nëse Ndoci ka pasur ndihmë nga punonjës të sistemit.
Kush është Altin Ndoci?
Altin Ndoci, 38 vjeç, me origjinë nga Lezha, konsiderohet person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore. Ai është hetuar dhe dërguar për gjykim nga SPAK për disa episode të rënda kriminale, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale, bazuar në dëshmi të bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Pavarësisht një pafajësie të mëparshme për disa akuza, ndaj tij janë ngritur çështje të tjera penale ende në proces, çka e mbante në paraburgim me masa të forta sigurie.
Autoritetet vijojnë kërkimet për kapjen e tij, ndërsa ngjarja ka hapur debat të fortë mbi sigurinë në shoqërimet spitalore të personave me rrezikshmëri të lartë.
