Tritan Shehu: Shqipëria në mospërputhje të frikshme me BE, tregu i mbushur me medikamente të pasigurta dhe korrupsion

Data

Deputeti demokrat Tritan Shehu deklaroi se Shqipëria ndodhet në një mospërputhje të thellë me standardet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe sigurisë së medikamenteve.

Deklaratat u bënë gjatë mbledhjes së Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku u zhvillua një seancë dëgjimore me ministren e Shtetit dhe kryenegociatoren Majlinda Dhuka mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Teksa Dhuka e cilësoi vitin 2025 si një nga periudhat më të suksesshme për negociatat dhe hapjen e grupkapitujve, Tritan Shehu kundërshtoi këtë vlerësim duke deklaruar se realiteti është krejt ndryshe.

“Jemi në diskordancë të llahtarshme me BE në fushën e shëndetësisë. Ka një agjenci evropiane, EMA, që certifikon medikamentet. Shqipëria është mbushur sot me medikamente krejtësisht të pasigurta, të pacertifikuara nga BE”, deklaroi Shehu.

Sipas tij, ligji i vitit 2013 parashikonte që asnjë ilaç të mos hynte në Shqipëri pa certifikim nga Agjencia Evropiane e Barnave, por ky standard nuk po zbatohet.

Deputeti demokrat ngriti shqetësime edhe për mungesën e kontrolleve në sistemin shëndetësor dhe nivelin e korrupsionit në spitale.

“Nuk ka kontrolle prej dhjetë muajsh në spitale. E drejta e pacientit është themelore në BE dhe këtu shkelet”, u shpreh ai.

Shehu solli si shembull edhe menaxhimin e pandemisë COVID-19, duke pretenduar se shteti ka mbështetur shumë pak qytetarët në raport me kostot reale të trajtimit.

“Gjatë pandemisë patëm 180 mijë raste dhe shpenzimi për çdo rast ishte rreth 1 mijë euro. Totali 180 milionë euro. Shteti dha vetëm 360 mijë euro”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës së tij, Tritan Shehu komentoi edhe ligjin për barazinë gjinore, duke kundërshtuar përfshirjen e ndryshimit të gjinisë si standard evropian.

“Mos u mburrni me ligjin e barazisë gjinore si standard evropian. Shumica e vendeve të BE nuk e kanë. Gjinia e njeriut është ajo biologjike”, tha Shehu.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related