Një dokument i ri strategjik i Shtëpisë së Bardhë ka ngritur alarmin për të ardhmen e Europës, duke paralajmëruar se kontinentit i kanoset rreziku i një “fshirjeje të qytetërimit”. Sipas raportimit të TgCom24, dokumenti paralajmëron se, nëse zhvillimet aktuale vijojnë me të njëjtin ritëm, Europa “mund të jetë e panjohur pas 20 vitesh, ose edhe më herët”.
Strategjia e re e sigurisë, e publikuar nga administrata e presidentit Donald Trump, sinjalizon një zhvendosje të fokusit amerikan—nga angazhimi tradicional në Europë, drejt Amerikës Latine dhe luftës kundër emigracionit.
Çfarë rrezikon kontinentin evropian?
Dokumenti rendit një sërë faktorësh që, sipas Uashingtonit, po minojnë stabilitetin dhe kulturën evropiane:
- Roli i Bashkimit Europian dhe institucioneve transnacionale, të cilat sipas dokumentit, “cenojnë sovranitetin dhe lirinë politike të shteteve”.
- Politikat migratore, që po “transformojnë strukturën e kontinentit dhe po krijojnë konflikte të reja”.
- Censurimi i lirisë së shprehjes dhe shtypja e opozitave politike, të cilat konsiderohen kërcënime serioze ndaj demokracisë.
- Rënia e lindshmërisë, humbja e identiteteve kombëtare dhe e besimit shoqëror.
Qasja e re ndaj NATO-s dhe Rusisë
Në dokument theksohet se SHBA synon të ndihmojë rikthimin e “stabilitetit të brendshëm në Europë” dhe të ruajë ekuilibrin strategjik me Rusinë. Gjithashtu, kërkohet që vendet europiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre, duke vepruar si “kombe sovrane të përafruara, pa u dominuar nga asnjë fuqi kundërshtare”.
Fokus i zhvendosur: Indo-Paqësori, zona e betejës së shekullit
Dokumenti vlerëson se rajoni Indo-Paqësor do të mbetet qendra kryesore e konkurrencës ekonomike dhe gjeopolitike globale. Presidenti Trump akuzon tre dekada të politikave amerikane ndaj Kinës si të gabuara, duke argumentuar se hapja ekonomike ndaj Pekinit nuk e afroi Kinën me “rregullat ndërkombëtare”, por përkundrazi e forcoi më shumë.
Hemisfera Perëndimore: kontroll migracioni dhe siguri
Strategjia veçon dy objektiva kyç për Amerikën Latine:
- “Rekrutimi”, që nënkupton angazhimin e aleatëve për të frenuar migracionin e paligjshëm, trafikun e drogës dhe për të forcuar sigurinë.
- “Zgjerimi”, që përqendrohet në krijimin dhe forcimin e partneriteteve të reja, duke rritur ndikimin ekonomik dhe strategjik të Shteteve të Bashkuara në rajon.
