Strukturat doganore kanë bllokuar një sasi të konsiderueshme mallrash të dyshuara për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Drejtoria e Antikontrabandës dhe Drejtoria e Monitorimit, në bashkëpunim me degët doganore në Kakavijë dhe Durrës, kanë bllokuar 5340 palë atlete që dyshohet se cenojnë të drejtat e markave të njohura ndërkombëtare.
Sipas njoftimit zyrtar, mallrat e sekuestruara mbajnë logot e markave “Christian Dior” dhe “New Balance”, ndërsa ndërhyrja është bërë pas dyshimeve për shkelje të pronësisë intelektuale.
Autoritetet doganore bëjnë me dije se ky veprim është ndërmarrë në kuadër të angazhimit për të garantuar konkurrencë të ndershme në treg dhe për të zbatuar legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e markave tregtare.
Ndërkohë, strukturat e doganave po vijojnë verifikimet e mëtejshme për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë për këtë rast.
