Do të siguronte kushtet për vrasjen e Arben Ndokës, Xhelal Rraja lirohet nga qelia dhe kalon në arrest shtëpie

Data

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për Xhelal Rrajën, duke e liruar nga burgu dhe duke e kaluar në masën “arrest shtëpie”. Sipas vendimit, Rraja do të qëndrojë nën mbikëqyrje policore dhe i ndalohet komunikimi me persona të tjerë, përveç familjarëve me të cilët bashkëjeton.

Xhelal Rraja u arrestua në korrik të vitit 2024, pasi ishte shpallur më herët në kërkim, në kuadër të operacionit “Revanshi”. Ai akuzohet për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjes së ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Sipas hetimeve, Rraja dyshohet se ishte pjesë e një strukture kriminale që planifikonte atentatin, në bashkëpunim me persona të tjerë të njohur për drejtësinë.

Rraja është vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, dhe emri i tij del edhe në përgjimet e dosjes “Metamorfoza”, ku sipas Prokurorisë së Posaçme ai përdorte një telefon të koduar me pseudonim. Autoritetet e konsiderojnë atë të përfshirë në aktivitete kriminale të organizuara, përfshirë edhe ngjarje të tjera të rënda.

Emri i Xhelal Rrajës lidhet gjithashtu me episodin e dhunshëm të ndodhur në Thumanë, ku u rrahën dy kushërinj, ngjarje që solli më pas dorëheqjen e vëllait të tij nga mandati i deputetit. Edhe pse u shpall në kërkim pas asaj ngjarjeje, ai nuk u arrestua në atë periudhë.

Gjatë viteve, Rraja është shoqëruar disa herë nga Policia e Shtetit, ndërsa vetë ka deklaruar publikisht se ndalimet ndaj tij kanë qenë të padrejta dhe të motivuara nga konflikte personale. Hetimet ndaj tij vijojnë, ndërsa vendimi i fundit i gjykatës e mban atë nën arrest shtëpie deri në një vendim të mëtejshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related