Emigrantët po rikthehen pas pandemisë, por Shqipëria nuk po arrin t’i integrojë

Data

Rikthimi i emigrantëve në Shqipëri është rritur ndjeshëm pas pandemisë, por kushtet për riintegrimin e tyre janë përkeqësuar, duke bërë që një pjesë e madhe të mendojnë sërish largimin. Të dhënat e Anketës së Emigracionit tregojnë se gjatë viteve 2012–2024 janë rikthyer rreth 108 mijë persona, ku 45% e tyre vetëm në periudhën 2020–2024.

Megjithëse rikthimet janë në rritje, aksesi në punësim dhe shërbime është dobësuar krahasuar me periudhat e mëparshme. Si pasojë, synimet për riemigrim janë shumë më të larta tek të rikthyerit: rreth 13% planifikojnë të largohen sërish brenda një viti, kundrejt vetëm 1% të personave që nuk kanë emigruar më parë.

Sipas anketës, 67% e emigrantëve janë kthyer para kohe dhe jo me dëshirë, kryesisht për shkak të humbjes së vendit të punës, mungesës së mundësive ose problemeve administrative në vendet pritëse. Arsyet familjare mbeten gjithashtu një faktor i rëndësishëm për rikthimin.

Riintegrimi në tregun e punës është bërë gjithnjë e më i vështirë. Norma e punësimit për emigrantët e kthyer rishtazi ka rënë në 46% për periudhën 2020–2024, nga 93% që ishte për ata të kthyer në fillim të viteve 2000. Meshkujt e kthyer kanë norma më të larta punësimi sesa gratë, ndërsa për gratë migrimi nuk përkthehet domosdoshmërisht në përmirësim të pozitës në tregun e punës.

Vetëpunësimi është shndërruar në një zgjidhje të rëndësishme për shumë emigrantë të kthyer, veçanërisht për ata që hasin vështirësi në punësimin formal. Megjithatë, shumica e aktiviteteve vetëpunësuese mbeten të vogla dhe me potencial të kufizuar për krijimin e vendeve të reja të punës.

Anketa evidenton gjithashtu probleme sociale dhe psikologjike tek emigrantët e kthyer, përfshirë ndjenja përjashtimi, diskriminim dhe vështirësi në shëndetin mendor, veçanërisht për ata që janë kthyer me detyrim. Mbështetja institucionale për riintegrimin mbetet e fragmentuar dhe shpesh e papërshtatur me nevojat reale të të rikthyerve.

Në këtë kontekst, Shqipëria rrezikon të humbasë për herë të dytë shpresën e emigrantëve të kthyer, ndërsa në disa vende të tjera të rajonit kthimet po arrijnë të tejkalojnë largimet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related