Ish-deputeti Ervin Salianji ka dërguar një mesazh të fortë politik nga Lezha, duke paralajmëruar një aksion të pandërprerë opozitar në të gjithë Shqipërinë dhe duke kërkuar bashkimin e plotë të demokratëve rreth Partisë Demokratike.
Në takimin me mbështetësit, Salianji u shpreh se Lezha po jep një sinjal të qartë se kjo nismë politike ka marrë drejtimin e saj dhe nuk do të ndalet. Ai e cilësoi qytetin si simbol të historisë, qëndresës dhe dinjitetit shqiptar, duke theksuar se fryma e Lezhës i jep shpresë çdo demokrati për ndryshim real.
Salianji deklaroi se takimet me demokratët do të vijojnë në çdo cep të vendit, pa ndërprerje, me objektivin e vetëm: rikthimin e Partisë Demokratike në një forcë fituese pas 13 vitesh në opozitë. Ai bëri thirrje për lënien pas të ndasive dhe për bashkimin e të gjithë opozitarëve, pavarësisht mendimeve të ndryshme.
“Duhet të respektojmë njëri-tjetrin dhe të bashkohemi si bashkëudhëtarë në këtë rrugë të lodhshme, por krenare,” u shpreh Salianji, duke e cilësuar qeverinë aktuale si më të paaftën dhe më të korruptuarën që ka pasur vendi.
Ai theksoi se salla e mbushur në Lezhë është një tregues i qartë i vullnetit për ndryshim dhe se demokratët nuk kërkojnë më justifikime, por veprim. Në fund të fjalës së tij, Salianji pranoi se përveç pasojave të qeverisjes, edhe gabimet e brendshme të lidershipit të PD-së, përfshirë përçarjet dhe mungesën e mirënjohjes, kanë rënduar situatën, por sipas tij, tani është koha për t’i kapërcyer dhe për të ecur përpara të bashkuar.
