Në takimin e zhvilluar në Laprakë, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Belind Këlliçi u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që më 24 janar, në orën 17:00, të mblidhen masivisht në Tiranë, duke e cilësuar protestën si momentin vendimtar për përballjen me qeverinë.
Këlliçi deklaroi se synimi i mazhorancës gjatë viteve të fundit ka qenë shkatërrimi i opozitës, por sipas tij, kjo është penguar nga qëndresa e demokratëve dhe lëvizja e nisur nga baza. Ai theksoi se Partia Demokratike ka arritur të mbijetojë dhe të forcohet falë angazhimit të qytetarëve që nuk janë nënshtruar ndaj presionit të pushtetit.
“Sot jemi më të fortë sepse kemi qëndruar. Zgjidhjet e vërteta vijnë nga baza dhe nga qytetarët, jo nga pazaret e pushtetit,” u shpreh Këlliçi, duke shtuar se beteja e radhës është vendimtare për të ardhmen e vendit.
Ai e cilësoi protestën e 24 janarit si një thirrje për ndryshim dhe shpresë, duke ftuar çdo qytetar të bashkohet në shesh për të kundërshtuar atë që e quajti regjim dhe për të hapur rrugën e një Shqipërie ndryshe.
“Fati favorizon guximtarët. Pas sakrificave vjen ndryshimi. Shihemi në shesh më 24 janar,” përfundoi ai.
