Dita e 10-të e protestave në Tiranë, qytetarët dhe aktivistët mblidhen sërish në Sheshin Skënderbej

Data

Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë janë mbledhur pasditen e së martës në Sheshin “Skënderbej”, duke vijuar protestat që kanë hyrë në ditën e tyre të dhjetë.

Lëvizja nisi si kundërshtim ndaj projekteve të zhvillimit turistik në zonat e mbrojtura të Pishë Poros, Nartës dhe Sazanit, por me kalimin e ditëve është shndërruar në një mobilizim më të gjerë qytetar, ku janë artikuluar kërkesa që lidhen me qeverisjen, mbrojtjen e mjedisit dhe kuadrin ligjor për investimet strategjike.

Organizatorët kanë renditur pesë kërkesa kryesore, mes të cilave shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, anulimin e Paketës së Maleve, ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, si dhe dorëheqjen e qeverisë. Në tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera janë dëgjuar gjithashtu thirrje kundër klasës politike në tërësi.

Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po monitoron nga afër zhvillimet në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë. Zëdhënësi i Komisionit, Guillaume Mercier, ka bërë të ditur se punimet janë pezulluar përkohësisht dhe se pritet të realizohet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis në bashkëpunim me shoqërinë civile. Sipas tij, projekti është gjithashtu objekt i hetimeve të institucioneve shqiptare.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protesta është një e drejtë demokratike dhe se autoritetet kanë reaguar pas incidentit të dhunës që ndodhi gjatë ditëve të para të protestave. Ai ka këmbëngulur se nuk ekziston ende një projekt i miratuar për zonën e Zvërnecit, por vetëm një proces studimi dhe konsultimi, duke e konsideruar investimin e propozuar si një mundësi zhvillimi ekonomik dhe turistik për vendin.

Pavarësisht debateve politike dhe institucionale, organizatorët kanë njoftuar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara deri në arritjen e një përgjigjeje konkrete nga institucionet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related