Rama përplaset me gazetarin europian: Nuk kam dëgjuar që Komisioni Europian të lidhë protestat me integrimin

Data

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarë të mediave europiane në Kryeministri, ku është pyetur edhe për protestat e fundit kundër projektit në Zvërnec dhe ndikimin që ato mund të kenë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Gjatë diskutimit, një prej gazetarëve ngriti çështjen e deklaratave të Komisionit Europian dhe pyeti nëse protestat e vazhdueshme mund të ndikojnë në rrugën e vendit drejt Bashkimit Europian.

Rama e hodhi poshtë një lidhje të tillë, duke theksuar se protestat janë pjesë normale e jetës demokratike dhe se Shqipëria nuk ndryshon nga vendet e tjera europiane në këtë drejtim.

“Nuk ka të bëjë fare me integrimin. Përkundrazi, kjo tregon se jemi një vend si çdo vend i Bashkimit Europian, ku qytetarët protestojnë dhe shprehin lirisht qëndrimet e tyre”, u shpreh kryeministri.

Kur gazetari iu referua pretendimit se Komisioni Europian kishte lënë të kuptohej se vazhdimi i protestave mund të kishte pasoja për procesin e integrimit, Rama reagoi me habi dhe kërkoi sqarime.

“Cili Komision ua thotë këto gjëra? Sepse unë nuk i kam dëgjuar. Nuk mendoj se ekziston ndonjë Komision Europian që të thotë se nëse protestat vazhdojnë, atëherë vendi nuk është europian”, deklaroi ai.

Kryeministri theksoi se protesta është një e drejtë themelore demokratike dhe se zhvillimi i saj nuk mund të konsiderohet pengesë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Debati me gazetarët europianë vjen në një moment kur çështja e investimit të planifikuar në zonën e Zvërnecit ka shkaktuar reagime të shumta publike, ndërsa autoritetet shqiptare dhe institucionet europiane kanë shkëmbyer qëndrime mbi aspektet mjedisore dhe procedurale të projektit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related