Dimri ‘mbërthen’ Evropën, kaos në trafik nga bora dhe ngricat: anulohen fluturimet dhe ndërpritet transporti publik

Data

Moti i ashpër dimëror po paralizon një sërë vendesh evropiane, duke shkaktuar kaos në trafik, anulime masive fluturimesh dhe ndërprerje të transportit publik. Reshjet e dendura të borës, temperaturat nën zero dhe ngricat kanë përfshirë rajone të tëra në Evropën Perëndimore dhe Qendrore.

Në Holandë, për të dytën ditë radhazi, situata në aeroportet kryesore ka qenë problematike. Në aeroportin Schiphol të Amsterdamit janë anuluar mbi 700 fluturime gjatë dy ditëve të fundit, ndërsa më shumë se 1.000 pasagjerë janë detyruar të kalojnë natën në aeroport, duke fjetur në dyshekë të përkohshëm. Autoritetet aeroportuale paralajmërojnë se moti i keq me erëra të forta dhe reshje bore pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim. Probleme serioze janë raportuar edhe në transportin hekurudhor, ku trenat janë anuluar ose kanë pësuar vonesa të shumta.

Situata është rënduar edhe në Francë. Në Paris, për shkak të borës dhe ngricave, u ndërpre përkohësisht shërbimi urban i autobusëve në të gjithë qytetin. Gjithashtu, janë shënuar pezullime dhe kufizime në qarkullimin e tramvajeve, metrosë dhe trenave rajonalë. Në aeroportet e kryeqytetit francez, fluturimet janë reduktuar ndjeshëm. Sipas mediave franceze, shtresa e borës ka qëndruar për një kohë më të gjatë se zakonisht për Parisin, një fenomen i rrallë vitet e fundit.

Probleme në qarkullim janë raportuar edhe në veri të Francës, përfshirë qytetin Lille, ndërsa në mbarë vendin janë regjistruar pengesa në autostrada në rreth 1.650 kilometra rrugë. Si pasojë e aksidenteve rrugore të shkaktuara nga moti i keq, raportohen pesë viktima në Francë.

Ndërkohë, në Gjermani parashikohet përkeqësim i mëtejshëm i kushteve atmosferike. Pas reshjeve të ditëve të fundit, meteorologët paralajmërojnë një valë më intensive bore dhe akulli deri të premten. Një sistem presioni të ulët, i quajtur “Elli”, pritet të sjellë reshje të reja bore, temperatura më të ulëta dhe kushte të rrezikshme për qarkullimin, veçanërisht në veri dhe lindje të vendit.

Autoritetet në disa shtete evropiane u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal në rrugë dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve emergjente, ndërsa dimri vijon të mbajë nën “kthetra” një pjesë të madhe të kontinentit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related