Kthyen banesën në “shtëpi bari”, shpallen në kërkim dy persona në Shkodër, nisin hetimet edhe për dy punonjës të OSHEE-së

Data

Policia e Shkodrës ka zbuluar një tjetër ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, duke finalizuar operacionin policor të koduar “Neonët 6”. Me këtë rast, shkon në 10 numri i goditjeve të realizuara në kuadër të operacionit të gjerë “Neonët”.

Sipas njoftimit zyrtar, dy persona janë shpallur në kërkim pasi dyshohet se kishin përshtatur një banesë në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër për kultivimin e kanabisit me llamba elektrike, duke u furnizuar me energji përmes lidhjeve të paligjshme.

Në vijim të hetimeve, janë proceduar penalisht edhe dy punonjës të OSHEE-së, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, si dhe një shtetase tjetër për “Moskallëzim krimi”.

Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Gjatë kontrollit në banesën e përshtatur për këtë veprimtari kriminale, policia sekuestroi:

  • 60 bimë të dyshuara narkotike kanabis;
  • 57 pajisje elektrike për kultivimin dhe tharjen e bimëve;
  • 4 telefona celularë.

Në kërkim janë shpallur shtetasi A. V., 35 vjeç, banues në Shkodër, si dhe një 16-vjeçar, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, procedimi penal ka nisur edhe për:

  • B. C., 33 vjeç, dhe G. A., 63 vjeç, punonjës të OSHEE-së, për “Shpërdorim detyre”;
  • E. H., 22 vjeçe, banuese në Pukë, për “Moskallëzim krimi”.

Gjatë kontrolleve, në banesën e shtetasit H. M., 49 vjeç, ngjitur me ambientin ku kultivoheshin bimët narkotike, u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë sportive pneumatike pa numër serial, municion luftarak si dhe një automjet. Ky shtetas rezulton i ndaluar më herët, më datë 11.12.2025, për vepra të tjera penale.

Policia vijon punën për kapjen e personave në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related