Vdekja e Massimo Ferro-s, 54-vjeçar nga Camposampiero i Italisë, po hetohet paralelisht nga autoritetet shqiptare dhe italiane për të zbardhur rrethanat e ndarjes së tij nga jeta, disa ditë pas një operacioni për zvogëlimin e stomakut në një klinikë private në Tiranë.
Ferro iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale më 18 dhjetor, ndërsa ndërroi jetë më 22 dhjetor, pas komplikacioneve të shfaqura në ditët pas operacionit. Me kërkesë të Prokurorisë së Padovës, në Itali është kryer një autopsi e dytë nga mjeku ligjor Antonello Cirnelli, e cila do të krahasohet me autopsinë e parë të realizuar në Shqipëri.
Sipas mediave italiane, ekzaminimi i kryer në Itali ka dhënë të dhëna të pjesshme, pasi disa organe ishin hequr gjatë autopsisë së parë në Tiranë. Autoritetet italiane kanë kërkuar nga pala shqiptare të gjithë dokumentacionin mjekësor për të rindërtuar historinë klinike të pacientit.
Në Itali janë regjistruar si persona nën hetim një kirurg dhe një dietolog nga Lombardia, lidhur me vlerësimet mjekësore para udhëtimit të Ferros drejt Shqipërisë. Sipas avokates së familjes, do të verifikohet nëse janë kryer të gjitha analizat dhe vlerësimet paraoperative të kërkuara nga protokollet për kirurgjinë bariatrike.
Nga ana tjetër, Trita Hospital ka reaguar zyrtarisht, duke deklaruar se ndërhyrja është kryer në përputhje me standardet dhe protokollet mjekësore në fuqi. Sipas spitalit, pacienti kishte marrë më herët miratimin për operacionin edhe nga dietologia e tij në Itali.
Spitali sqaroi se në ditën e katërt pas operacionit, për shkak të çrregullimeve të ritmit kardiak, pacienti u referua për trajtim më të specializuar dhe më pas u transferua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, 54-vjeçari pësoi arrest kardiak në ditën e pestë pas operacionit.
Institucioni thekson se kartela mjekësore është sekuestruar nga autoritetet dhe se organet e hequra gjatë autopsisë ndodhen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Hetimet në të dy vendet do të përcaktojnë nëse vdekja erdhi për shkaqe natyrore apo si pasojë e ndonjë ndërlikimi nga operacioni apo kujdesi pas ndërhyrjes.
