Diaspora shqiptare proteston para Komisionit Europian: “Atdheu nuk është në shitje”, mesazhe të forta kundër Ramës

Data

Shqiptarët që jetojnë në Belgjikë janë mbledhur këtë të diel në një protestë para selisë së Komisionit Europian në Bruksel, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj politikave të qeverisë shqiptare dhe projektit të diskutuar në zonën e Zvërnecit.

Të mbështjellë me flamuj kombëtarë dhe me pankarta ku shkruhej “Atdheu nuk është në shitje”, protestuesit kërkuan më shumë transparencë, mbrojtje të pasurive natyrore dhe llogaridhënie nga qeveria shqiptare.

Gjatë tubimit nuk munguan as mesazhet e drejtpërdrejta drejtuar kryeministrit Edi Rama. Një prej protestuesve, duke folur para të pranishmëve, deklaroi se diaspora shqiptare do të vazhdojë të ngrejë zërin kundër vendimeve që, sipas saj, cenojnë interesin publik dhe pasuritë kombëtare.

“Edi Rama, jemi këtu para Komisionit Europian për t’i treguar Europës shqetësimin tonë. Shqiptarët kudo që ndodhen do të vazhdojnë të reagojnë për të mbrojtur vendin e tyre”, u shpreh ai.

Protesta në Bruksel është pjesë e një serie tubimesh të organizuara nga diaspora shqiptare në qytete të ndryshme të Europës dhe Amerikës së Veriut. Gjatë ditëve të fundit, manifestime të ngjashme janë zhvilluar në Londër, Milano, Zyrih, Berlin, Nju Jork dhe Uashington, ku pjesëmarrësit kanë shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë dhe kanë kërkuar rishikimin e projekteve që lidhen me zonat e mbrojtura.

Organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi i diasporës do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke e cilësuar mbrojtjen e interesave kombëtare si një përgjegjësi që shkon përtej kufijve të Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related