400 forcave të Policie, të ndarë në 25 grupe, zbuluan në vitin 2015 në Shkodër 53 parcela me 7 943 bimë kanabis. Në operacion morën pjesë forcat speciale RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivë të Policisë së Shkodrës. Gjatë ditës që u zhvillua ky operacion, u asgjësuan afro 33 mijë rrënjë kanabis. Pas operacionit të madh të 2014-ës, kur Policia mori në dorë atë që konsiderohej “fshati i kanabisit”, Lazaratin, vëmendja shkoi në veri në vendit. Zonat më të mëdha të kultivimit të kanabisit tashmë ishin ato të Dukagjinit të Shkodrës, kryesisht Pulti, Shala dhe Shoshi. Kjo solli zhvillime të reja të organizatave kriminale në Shkodër. Në fakt ishte një përgjegjësi e dyfishtë për efektivët e Policisë atje. Po të mos raportonin rastet e kultivimit të kanabisit, pezulloheshin e madje edhe arrestoheshin, ndërsa kur i raportonin pasojat ishin edhe më të rënda. Hakmarrja në këtë rast u vinte nga krimi, duke u kthyer automatikisht në objekt sulmesh me armë, me eksploziv apo edhe zjarrëvëniesh. Në vitin 2022, janë zhvilluar 65 takime sensibilizuese, proceduar penalisht 7 inspektorë pyjesh dhe 16 punonjës të OSHEE. Kapacitet e Policisë janë të afta për të përballuar luftën ndaj drogës. Kërkon një qasje të re parandalimi i kultivimit. Jemi këtu për të gjetur një zgjidhje të rë duke përfshirë edhe moskontrollin e duhur të Dukagjinit. Dhe kur Policia nisi të vinte në zbatim këtë qasje të re, nisën dhe sulmet ndaj saj. Përveç rritjes së rasteve të kultivimit të kanabisit, viti 2022 shënoi edhe shumë ngjarje kriminale kundër efektivëve të Policisë, që u konsideruan si paralajmërime për ata që raportonin parcelat e kanabisit. Pa përjashtuar këtu edhe implikimin e mundshëm të punonjësve të Policisë, që siç ka rezultuar ka pasur edhe të proceduar, të arrestuar e të pezulluar në radhët e tyre. Herë për shkak të indiferencës, herë për shkak të mosmbajtjes së premtimit për raportimin e parcelave e në raste më të rënda edhe për bashkëpunim me kultivuesit.
Krimi shënjestron policët e Shkodrës
E teksa krimi shfaqej frikshëm në Shkodër, me përplasje bandash kriminale, që përgjithësisht në Shkodër quhen familje kriminale, me shpërthime eksplozivi e atentate tipike mafioze, përgjegjësia binte mbi Policinë. Sipas emisionit “Gjërat tona”, ngjarja më e fundit, që kishte në shënjestër një punonjës Policie dhe që lidhet po ashtu me kanabisin, ndodhi mbrëmjen e 12 marsit 2024 në Grudë të Re. Inspektori i zonës së Shoshit, Gjergj Ndërshtiqaj, dhe kunati i tij, Gjon Nika, u qëlluan me 100 plumba kallashnikovi brenda makinës që më pas shpërtheu në flakë. Ata u plagosën rëndë, por fatmirësisht mbijetuan. Prej dy vjetësh Ndërshtiqaj ishte dronist i Policisë së Shkodrës, dhe ka filmuar hapësira të tëra në Malësi, ku janë zbuluar edhe parcela më kanabis. Vitin e fundit, Gjergj Ndërshtiqaj, kaloi specialist në zonën e Shoshit, ku për shkak të profesionit, posedonte informacione në lidhje me fushën e drogës. Informacione që ai i kishte raportuar, në zbatim të detyrës së tij, por mesa duket u kishte rënë ndesh personave që mund të kenë pasur marrëveshje me njerëz të tjera brenda radhëve të Policisë. Ngjarja vijon të jetë pa autor. Ndërsa provat kryesore të lëna në vendngjarje janë gëzhojat e armëve të përdorura, plot 100. Atentati ndaj Gjergj Ndërshtiqajt nuk është i vetmi që realizohet kundër efektivëve të Policisë së Shkodrës dhe që motiv të përbashkët ka kanabisin. Në vitin 2022, kohë kur u raportua se pati rritje të rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, kryesisht në malësinë e Dukagjinit, pati të paktën 5 ngjarje, kryesisht sulme me eksploziv apo edhe zjarrvënie, që u konsideruan si paralajmërime nga grupet e kultivimit të drogës. Por sulmet ndaj policëve të Shkodrës, nuk lidhen vetëm me kanabisin. Duket se personazhe të skeduar ose jo, apo thjeshtë që e konsiderojnë veten “të fortë” ose të paprekshëm, herë pas here vendosin të sfidojnë Policinë. Në rastet kur u bien ndesh vendosin të hakmerren, qoftë edhe pse ndonjë prej tyre u kërkon dokumentet e makinës. Guxim i tepruar për një vend ku duhet të sundojë ligji, por ku duket se në shumë sfida të tilla, guximi vjen edhe nga mbështetja që personazhe të ndryshëm të botës së krimit kanë marrë nga njerëz brenda Policisë. Madje edhe Prokurorisë, siç edhe u zbulua nga SPAK në dosjen “Metamorfoza”.
