Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e 50-vjeçarit Edmond Sula, i njohur edhe me emrin Ali Sula, i cili u ekzekutua pak pas mesnatës pranë banesës së tij në Vorë.
Sipas të dhënave paraprake, viktima dyshohet se është qëlluar nga një distancë e konsiderueshme me një armë me precizion të lartë, e pajisur me dylbi. Në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja, çka forcon dyshimet se autori ka përdorur një pozicion të largët për të kryer atentatin.
50-vjeçari humbi jetën pasi u godit nga një plumb, ndërsa autori u largua pa lënë gjurmë të dukshme.
Burime paraprake bëjnë me dije se Edmond Sula merrej me shitblerje pronash. Hetuesit po verifikojnë konfliktet e mundshme që mund të kenë lindur nga kjo veprimtari, të cilat konsiderohen një nga pistat kryesore të hetimit për zbardhjen e motivit të krimit.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e autorit ose autorëve, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të atentatit.
