Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë, duke pretenduar se veprat e mëdha të infrastrukturës në vend po ndërtohen pa iu nënshtruar kontrolleve teknike të detyrueshme, duke u kthyer në një rrezik potencial për jetën e qytetarëve.
Në një intervistë televizive, Balliu u shpreh se kjo është një strategji e qëllimshme e ekzekutivit, për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore në rast aksidentesh apo fatkeqësish të shkaktuara nga cilësia e dobët e punimeve. Sipas tij, projekte madhore si tuneli i Llogarasë, aksi Qukës-Qafë Plloçë dhe rruga Korçë-Ersekë nuk kanë kaluar procesin e kolaudimit, i cili certifikon sigurinë dhe standardin e veprës përpara inaugurimit.
“Nuk i bëhet qëllimisht. Kolaudimi është momenti kur qeveria verifikon sigurinë e rrugës. Kjo bëhet që nëse ndodh një fatkeqësi, shteti të mos mbajë përgjegjësi dhe t’ia hedhë fajin operatorit,” theksoi Balliu.
Kjo mungesë sigurie, sipas deputetit, është pjesë e një skeme të gjerë korruptive që nis që te tenderat publikë. Balliu përshkroi një mekanizëm ku kompanitë e sapokrijuara, shpesh të lidhura me zyrtarët që japin tenderin dhe me pronarë fiktivë si pensionistë apo të afërm, marrin punë publike. Një tjetër metodë është ajo e konsorciumeve, ku vetëm një kompani është e kualifikuar dhe pasi fitohet tenderi, ajo largohet duke ua lënë punën firmave të pakualifikuara.
Duke e vënë theksin te përgjegjësia politike, ligjvënësi demokrat argumentoi se pas skemave korruptive qëndron kryeministri Edi Rama dhe jo thjesht ministrat e tij. Sipas Balliut, hetimet e SPAK-ut dhe presioni ndërkombëtar, veçanërisht nga SHBA, për të goditur pastrimin e parave nga trafiku i drogës, po e ngushtojnë lakun rreth kryeministrit.
“Shpirti i kësaj qeverie është pastrimi i parave të drogës. Kjo mban gjallë pushtetin e Ramës dhe pamundëson rritjen e buxhetit të qytetarëve,” shtoi ai. Në përfundim, Balliu bëri thirrje për një reagim të fortë nga opozita dhe shoqëria, duke theksuar se ky pushtet nuk mund të largohet me mjete normale politike, por me një radikalizim të qëndrimit opozitar.
Kjo situatë ka vetëm një zgjidhje, të largosh këta që i kanë krijuar këto situata. Kjo nuk është më një çështje se këtu po të kishim një drejtësi, do ishin zgjidhur me kohë. Këtu drejtësia funksionon në parim. Në parim kemi drejtësi, në parim ka hetim, në parim janë burgosur disa persona, po zgjidhje nuk sjellin. Pra, këtu është drejtësia në parim. Së dyti, ëh, kjo është një qeveri që tanimë i ka dhënë shembujt e vet, i ka dhënë provat e veta, e ka bërë të qartë qëllimin e vet dhe qëllimi është të vjedhë dhe të vazhdojë vjedhjen. Kostot nuk kanë rëndësi. Ju thatë me të drejtë për çështjen e sigurisë. Unë mund të kem të paktën një vit që denoncoj disa herë, kudo që ka mundësi, që rrugët nuk u bëhet kolaudimi. Dhe nuk i bëhet qëllimisht. Kolaudimin e bën qeveria. Kolaudimi është momenti që qeveria vjen, shikon rrugën dhe thotë kjo tanimë është një rrugë e sigurt dhe më pas bëhet inaugurimi. Kolaudimi nuk ndodh në Shqipëri. Prej kohësh. Rruga Qukës-Qafë Plloçë nuk ka kolaudim. Tuneli i Llogarasë nuk ka kolaudim. Rruga Korçë-Ersekë nuk ka kolaudim. Arsyeja pse kjo ndodh është që në rast se ndodh ndonjë gjë, larg qoftë, vdes një kalues në këto rrugë sepse shembet rruga, shteti mos të mbajë përgjegjësi dhe të thotë që ne s’kemi bërë kolaudimin. Dhe t’i vënë fajin operatorit.
Po inaugurimin e bëjnë gjithmonë këta. Kjo tregon monstruozitetin e kësaj qeverie, që është gati të vjedhë edhe pse vdes ndonjë qytetar, nuk ka problem. Këto përmbytjet, shi nuk bie vetëm në Shqipëri, shi bie gjithandej, pavarësisht çfarë thotë qeveria. Shi ka gjithandej. Moti i keq është edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, po nuk ndodhin këto që ndodhin këtu te ne. Sepse atje rrugët, qoftë ato brenda qyteteve dhe qoftë rrugët nacionale, bëhen me standarde dhe u bëhet kolaudimi, çdo investimi i bëhet kolaudimi, siç i bëhet kolaudimi makinës. Po njësoj funksionojnë dhe këto investime. Në rastin konkret, në Shqipëri, për shkak se bëhen projekte për të vjedhur dhe jepen leje ndërtimi për të vjedhur, rrugët edhe brenda qyteteve, siç është rasti i Tiranës, Lezhës, Shkodrës, Vlorës, Sarandës, jepen leje ndërtimi për të pastruar para, edhe aty ku nuk duhet.
Çfarë ndodh kur bie shi? Përmbytesh. Nuk bëhen hapja e kanaleve nëpër fshatra, dhe prandaj ikën bagëtia, dëmtohet bujqësia, sa herë që ka shi. Kur është verë pastaj, vendi merr flakë. Dhe s’kemi helikoptera për të shuar zjarrët sepse nuk investojmë aty ku duhet, po investojmë te Belinda Balluku dhe te këto projekte. 70% e buxhetit e merrte Belinda Balluku, edhe në buxhetin më të fundit. Për këto projekte që s’bëhen me kolaudim. Tani arsyeja pse nuk i bëhet kolaudimi këtyre projekteve është se po të bësh kolaudimin do shikosh që ti nuk ke hekur këtu te rruga. Dhe është problem. Që ti nuk ke marrë inxhinier, po ke disa individë të cilët e kanë marrë licencën e inxhinierit të paktën nja dy muaj, tre muaj sa të fillonte rruga. Pra të gjithë këto do të dilnin nga analiza, nga kolaudimi, nga ekspertiza që do të duhej të bënte shteti. Thjesht fare. Kemi ndërtuar ne rrugën, rrugën e kombit. Kemi ndërtuar ne… ka 12,700 km ka ndërtuar qeveria e Partisë Demokratike. Asnjë rrugë nuk shembet nga shiu. Asnjë. Këtu bie shi, i shemben të gjithë rrugët e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut. Pse? Se ato nuk janë rrugë për Shqipërinë dhe shqiptarët, janë rrugë për xhepin e pushtetarëve, për xhepin e Edi Ramës dhe të Lubi Ballukut.
260 milionë euro Qukës-Qafë Plloçë për 43 km, s’ndodh më në asnjë vend të botës. Shiko, Korçë-Ersekë, loti i parë është bërë nga Partia Demokratike. Projekti është bërë nga Partia Demokratike dhe ka qenë 25 milionë euro për lotin e parë dhe 25 milionë euro për lotin e dytë. E bëmë lotin e parë Partia Demokratike me 25 milionë euro, ndërron pushteti, vjen Edi Rama, loti i dytë është bërë me 70 milionë euro. Dhe është ndërruar gjurma e rrugës. Ndërkohë gjurma e vjetër kishte gjashtë ura. Ky e ka pa ura dhe e ka 70 milionë euro koston. Pse? Sepse aty këta vjedhin. Këto janë paratë që u merren qytetarëve. Në qoftë se shqiptarët duan të dinë dhe të kuptojnë pse nuk kanë para në xhep, këto janë arsyeja. Dhe për të gjithë ata të cilët bien pre e propagandës që thonë po ka pasur korrupsion edhe në kohën e PD-së. Korrupsion ka kudo në botë. Por korrupsion që të vidhet 90% nuk ka pasur kurrë, nuk ka në asnjë vend të botës dhe s’mund të ketë pasur dhe s’ka pasur kurrë në kohën e Partisë Demokratike.
Korrupsion që ti të thuash po paguaj 10 milionë euro për rrugën dhe për urën dhe mos gjendet as rruga dhe as ura, siç bën Belinda Balluku, nuk ka. Nuk ka pasur në kohën e Partisë Demokratike dhe s’ka më në asnjë vend të botës. Këto janë të gjitha formate të reja korrupsioni të shpikura nga një njeri që s’ka kush e kontrollon. Se tani unë me Belinda Ballukun nuk shquhemi për një miqësi, por të vij unë këtu dhe të them që këto i ka të gjitha përgjegjësi Belinda Balluku, do isha i pasinqertë. Nuk do ishte e vërteta ajo. Belinda Balluku nuk ndërmerrte dot asnjë nga këto projekte pa kërkesën dhe urdhrat e Edi Ramës. Po te tuneli i Llogarasë, po ku i njihte Belinda Balluku turqit? Turqit ia prezantoi Edi Rama. Belinda Balluku do merrte pjesën e vet sido që të ishte projekti. Pjesën që do t’i caktonte Edi Rama. Projekti është anulluar sepse e ka kërkuar Edi Rama të anulohet ai projekt dhe të ribëhet me fitues miqtë e vet. Dhe prandaj e mori Belinda Ballukun dhe e çoi te turqit. Pra aty është Edi Rama dhe prandaj i keni parë këto analistët e pavarur të qeverisë? Që dalin në çdo cep tani të studios, grusht shteti thonë. Problem i madh, po hetohet Belinda. Edi Rama kishte shkruar ‘cenohet Shqipëria dhe shqiptarët që po hetohet Lubia’. Po pse, një hajdute po hetohet. Pse të cenohen shqiptarët? Shqiptarët cenohen që kjo s’është në burg. Shqiptarët cenohen që s’është Edi Rama në burg, se imagjinoni ju.
