Tabaku pas protestës: “Loja ka mbaruar”, qytetarët i dhanë mesazh të qartë qeverisë

Data

Deputetja e Partia Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke e cilësuar atë si një shprehje të pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisë dhe modelit aktual të qeverisjes.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se pjesëmarrja në protestë tregoi, sipas saj, se qytetarët janë të lodhur nga korrupsioni, pabarazia dhe privilegjet që, sipas opozitës, u jepen një grupi të kufizuar përfituesish.

“Loja ka mbaruar. Shqipëria u derdh në bulevard për t’i treguar pushtetit se sistemi i ngritur gjatë viteve të qeverisjes socialiste ka prodhuar një Shqipëri më të varfër dhe një demokraci më të dobët”, shkroi Tabaku.

Deputetja demokrate argumentoi se në protestë morën pjesë qytetarë nga kategori të ndryshme shoqërore, përfshirë të rinj, pensionistë, profesionistë dhe përfaqësues të shtresës së mesme, të bashkuar rreth kërkesës për ndryshim politik dhe institucional.

Ajo akuzoi qeverinë për kapje të shtetit, favorizim të interesave të ngushta dhe përdorim të mekanizmave propagandistikë kundër kundërshtarëve dhe protestuesve. Gjithashtu, Tabaku kritikoi nismat e fundit ligjore që, sipas saj, favorizojnë investitorë të caktuar në dëm të interesit publik.

Në reagimin e saj, Tabaku përmendi edhe hetimet e nisura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për disa kontrata partneriteti publik-privat, duke pretenduar se ato dëshmojnë problemet e modelit aktual të qeverisjes.

Në përfundim, ajo tha se protesta përfaqësoi “Shqipërinë e zakonshme”, e cila sipas saj kërkon më shumë mundësi, barazi dhe transparencë.

“Kjo është një betejë mes shumicës së shqiptarëve që punojnë ndershmërisht dhe një pakice që pasurohet nga pushteti. Qytetarët i dhanë kryeministrit një mesazh të qartë: loja ka mbaruar”, u shpreh Tabaku.

Deklarata e saj vjen në vijim të reagimeve politike pas protestës së fundjavës, e cila ka sjellë përplasje të forta mes qeverisë dhe opozitës mbi pjesëmarrjen, mesazhet dhe ndikimin e saj në jetën politike të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related