Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur në Orikum të Vlorës, ku një grua humbi jetën, ndërsa bashkëshorti i saj u gjet i pajetë disa orë më vonë në banesën e tij.
Sipas burimeve nga hetimi, pas një konflikti të fortë në banesë, burri dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Më pas, ai e ka transportuar gruan drejt urgjencës së spitalit, ku ajo ka mbërritur pa shenja jete.
Hetimet paraprake ngrenë dyshime se, përveç dhunës fizike, viktima mund të ketë humbur jetën si pasojë e mbytjes. Priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Pas lënies së gruas në spital, 50-vjeçari është kthyer në banesën e tij, ku dyshohet se i ka dhënë fund jetës.
Çifti ishte prind i dy fëmijëve. Familjarë të tyre kanë deklaruar për policinë se kohët e fundit marrëdhënia mes bashkëshortëve ishte e tensionuar dhe se ata ndodheshin në prag të ndarjes. Sipas të afërmve, konfliktet familjare nuk ishin denoncuar më parë pranë autoriteteve.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë familjare.
