18 vite nga tragjedia e Gërdecit, familjarët e viktimave: Presim të vërtetën dhe drejtësinë

Data

Sot shënohen 18 vite nga tragjedia e Gërdecit, një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar shoqëria shqiptare në kohë paqeje. Familjarët e viktimave kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët, duke theksuar se drejtësia për këtë katastrofë ende nuk është vendosur.

Në deklaratën e tyre, ata theksojnë se procesi gjyqësor për përgjegjësit e tragjedisë është ende në fillimet e tij, pavarësisht se akuza ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është ngritur që në vitin 2009.

Familjarët shprehen se gjatë viteve çështja është përballur me vonesa të shumta dhe pengesa politike, të cilat kanë zvarritur procesin për më shumë se një dekadë.

Sipas tyre, çështja u ndërpre për një kohë të gjatë pasi Mediu fitoi mandat deputeti dhe përfitoi nga imuniteti parlamentar, ndërsa organet e drejtësisë nuk ndërmorën hapa për vazhdimin e procedimit.

Vetëm pas përpjekjeve të shumta dhe debateve juridike, çështja u rikthye në shqyrtim dhe aktualisht po trajtohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Familjarët shprehen se procesi gjyqësor ka vijuar për rreth tre vite dhe në shumë raste është shtyrë për shkak të angazhimeve politike të të pandehurit jashtë vendit.

Sipas tyre, demontimi i municioneve që çoi në katastrofën e Gërdecit u lejua të kryhej pranë zonave të banuara nga një kompani private që nuk kishte teknologjinë dhe kushtet e nevojshme të sigurisë.

Ata theksojnë se nuk kanë kundërshtuar demontimin e municioneve në vetvete, por mënyrën se si u realizua ky proces, në kushte të pasigurta dhe pranë banesave.

Në deklaratë theksohet se pas 18 vitesh familjarët nuk kërkojnë hakmarrje, por vetëm të vërtetën dhe drejtësinë për jetët e humbura.

“Ne presim me durim, pa kërkuar hakmarrje. Kërkojmë vetëm të vërtetën dhe drejtësinë, që shoqëria shqiptare të sigurohet se një tragjedi e tillë nuk do të përsëritet më”, thuhet në reagimin e tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related