Grupi parlamentar i Rithemelimit është përfshirë nga debatet dhe sherret dje, pasi Kuvendi nuk e përfshiu ish-kryeministrin Sali Berisha si pjesë të kësaj strukture pas kërkesës së fundit që i bëri Gazment Bardhi. Mësohet se “besnikët” e Berishës në grupin parlamentar, Tritan Shehu, Luan Baçi dhe Edmond Spaho i kanë kërkuar kreut të grupit që të përsërisë kërkesën për Kuvendin duke përcaktuar qartësisht futjen e Berishës në grup. Ata dyshojnë tek zoti Bardhi pas pabesisë që i bëri Berishës, duke bërë kështu që të hapin “Kutinë e Pandorës”. “Gjykoj se krahas shprehjes së qartë publike për këtë nga kryetari i grupit, duhet dërguar në vazhdim të të parës një shkresë e dytë nga kryetari, Kuvendit, eksplicite, me emër e mbiemër të Berishës. Këtu duhet qëndruar fort e me çdo çmim”, mësohet të ketë thënë Tritan Shehu. Ndërsa Luan Baçi njoftoi deputetët se kishte marrë konfirmim nga Kuvendi që nëse kërkesa e PD vjen me emrin e Berishës, ai do të bëhet pjesë e grupit parlamentar. “Duhet një shkresë e dytë ku të rreshtohen të gjithë emrat e deputetëve të dalë nga lista e 25 prillit 2021 dhe ti dërgohet Kuvendit. Këtë gjë ma konfirmuan edhe shërbimet e Kuvendit, pasi u interesova për këtë gjë! Po të vij kështu më thanë me emra absolutisht që do të jetë në listë”, mësohet të ketë thënë Baçi. Më i ashpër ka qenë Edmond Spaho, i cili e ka quajtur të papranueshëm lënien e Berishës jashtë grupit. “Sipas ligjit qenia ne grupin parlamentar të PD përcaktohet nga njoftimi i KQZ për zgjedhjet e 2021 si dhe vetëdeklarimi i deputetit. KQZ e ka deklaruar Z. Berisha deputet i PD dhe Z. Berisha vetëdeklarimin në fillim te sesionit e ka bere deputet i PD. Këto lojëra ka ardhur koha te marrin fund”, ka deklaruar Spaho. Ndërkohë Gazment Bardhi u distancua nga “puçi”, teksa deklaroi dje për mediat se nuk ka asnjë pengesë nga grupi demokrat që Berisha të jetë pjesë e tij. “Biem dakord që ky është Grupi Parlamentar i PD që ka kryetar Sali Berishën. Çdo çështje tjetër që Rama tenton të provokojë opozitë, do të duhet të përballet me pasojat”, ka thënë Bardhi.
Bardhi hakmerret ndaj besnikëve të Bashës
Po ashtu, Gazment Bardhi ka shkarkuar dje deputetin Arbi Agalliun nga detyra e tij si sekretar në grupin parlamentar të PD si dhe deputeten Oriola Pampuri si zëdhënëse. Në arsyen e dhënë, Bardhi ka përmendur faktin që deputetët mbështetën mos-dërgimin e çështjes së mandatit të Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. “Amnistia dhe mbështetja që Arbi Agalliu dhe Orjola Pampuri i bënë Olta Xhaçkës, i bën automatikisht të shkarkuar nga pozicionet që mbajnë në grup. Është e papranueshme që po duan ta varrosin atë çështje njëlloj si Edi Rama. Kam patur respekt, por kjo është vijë e kuqe, janë bërë bashkë me Edi Ramën për t’i dhënë pandëshkueshmëri Olta Xhaçkës. E papranueshme”, shprehet Bardhi. Sakaq pas shkarkimit, ka pasur edhe një reagim nga deputeti Agalliu i cili akuzoi Bardhin dhe grupin e Rithemelimin për pazare politike me qeverinë për amnistimin e zyrtarëve të korruptuar. Ndërsa shkruan se nuk është rastësi fakti që në të njëjtën ditë kur Bardhi kërkoi rikthimin e Berishës në PD, u amnistua edhe Xhaçka. “Partia Demokratike nuk është edhe nuk do të bëhet pjesë e pazarit të Berishës dhe Ramës. Lojërat e ulëta të tyre janë thjesht për t’i hedhur hi syve qytetarëve. Pazari i tyre është i qartë, luftë kundër SPAK-ut dhe amnisti për të korruptuarit. S’ka asnjë koincidencë. Në ditën që kryetari i grupit të Linditës (të cilës ju amnistua edhe vila që e denonconte në çdo seancë) kërkon kthimin e Berishës në PD, amnistohet Olta Xhaçka”, shkroi dje Agalliu në rrjetet sociale.
Ja debatet
Gazment Bardhi: Kalojmë tek çështjet e rendit të ditës. Do këmbëngulim për mocionin me debat nesër për drogën dhe Xibrakën. Do të dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese përsëri mandatin e Xhaçkës. Do të diskutojmë tek të gjitha pikat e rendit të ditës për të cilat do votojmë kundër, përveç marrëveshjes me BE. Për çështjen e cila ka nisur si diskutim dhe kam marrë shumë shqetësime nga ana juaj në chatgrupin tonë (I referohet grupit të Whatsappit ku shumë deputetë kanë shprehur shqetësim për vendimin e Kuvendit për të lënë jashtë grupit Berishën dhe se duhet të bëhet betejë që të futet në Grupin Parlamentar të PD-së), ju sqaroj se kjo nuk është çështje e kryetarit të grupit, sepse anëtarësimi në grup sipas rregullores është me vetë deklarim. Unë mendoj që ne nuk duhet të biem në kurthin që të kthehemi përsëri tek përqendrimi i debatit publik për grupin. Interesi i Edi Ramës është të na rikthej në debatin për grupin parlamentar, prandaj e luajtën në publik prej disa ditësh me këtë; një herë 35 anëtarë, një herë 38 anëtarë, sot e kishin bërë 42 anëtarë. Ne jemi grupi parlamentar i PD dhe kryetar i PD është Sali Berisha. Tani nga kjo kuptohet i gjithë absurdi i kësaj. Ne e dimë shumë mirë se kush është i përfshirë në grup parlamentar, që nga data 5 Shtator 2023 dhe nuk presim njohje nga Edi Rama për këtë mendoj. Grupi nuk ka një procedurë për futjen e deputetëve në grup, sepse kjo është me vetëdeklarim në Kuvend, pa përfshirjen e grupit. Psh para disa kohëve është përfshirë në grup kolegia Merita Bakiu, është vetëdeklaruar dhe është përfshirë pa u përfshirë grupi në këtë çështje. Mospërfshirja e z. Berisha që në nisje të kësaj Legjislature është bërë nga Kuvendi me interpretimin që nuk është tek lista fillestare që ka sjell Partia, para krijimit të grupit. Problemi nuk është tek ne. Në çdo rast më thoni çfarë shqetësimi kemi dhe si e adresojmë.
Tritan Shehu: Qëndrim të egër duhet të mbaj Grupi Parlamentar për të mbrojtur Sali Berishën, për ta përfshirë në grup, madje duhet edhe t’u dërgojmë letra ndërkombëtarëve, ku t’i informojmë për burgosjen politike të kreut të opozitës. Duhet të mendojmë një procedurë, të marrim vetëdeklarimet, të bëjmë diçka.
Oerd Bylykbashi: Rregullorja sqaron sesi behet anëtarësimi në grup (lexon nenin e rregullores). Pra vetëdeklarim dhe lista e KQZ. Këtë mendoj ta përdorim, por e vendosim.
Flamur Noka: Po kjo mund të behet mendoj.
Luan Baçi: Edhe unë mendoj si kolegët. Ne jemi shumica e grupit, të analizohet rregullorja dhe të bëhet.
Gazment Bardhi: Dakort. Për problemin që ngriti Albana, kam takuar Kryetaren e Kuvendit për këtë shqetësim dhe e kam kërkuar të mos pengohet funksionimi i komisioneve hetimore parlamentare (TIMS-i dhe koncesionet në shëndetësi). Kryetarja e Kuvendit më ka konfirmuar që nuk ka asnjë vendim politik të PS për t’i bllokuar komisionet dhe keqkuptimet që janë krijuar duhet të zgjidhen. Nëse ka pengesa duhet të ulen dy kryetarët me dy nënkryetarët që të përcaktojnë vijimin, dhe të gjitha shkresat për informacion më është konfirmuar që nuk do pengohet asnjë, do të kalojnë dhe nuk do të këtë asnjë pengesë.
