Denisa Vata ngre alarmin për sigurinë në Rrugën e Arbrit: U inaugurua me daulle, por po kthehet në një bilanc lufte

Data

Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Dibrës, Denisa Vata, ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në Rrugën e Arbrit, duke e cilësuar atë si një aks rrugor që po shoqërohet vazhdimisht me aksidente dhe pasoja të rënda për qytetarët.

E ftuar në një studio televizive, Vata deklaroi se rruga është kthyer në një “bilanc lufte”, pasi sipas saj pothuajse çdo ditë regjistrohen aksidente, disa prej tyre me viktima dhe të plagosur.

Deputetja demokratike vuri në dyshim mënyrën se si është trajtuar projekti, duke pyetur nëse infrastruktura është ndërtuar për t’u shërbyer qytetarëve apo për spektakël mediatik.

“Rruga e Arbrit është kthyer në një bilanc lufte tashmë, sepse nuk ka një ditë që nuk ndodh një aksident. A po ndërtohet infrastrukturë për qytetarët apo spektakël për kamerat? Sepse e kemi parë si është inauguruar ajo rrugë dhe çfarë shpenzimesh kolosale ka pasur”, u shpreh Vata.

Ajo theksoi se, sipas deklarimeve të vetë autoriteteve rrugore, Tuneli i Murrizit nuk ka përfunduar procesin e kolaudimit, ndërsa mijëra qytetarë e përdorin çdo ditë këtë aks së bashku me familjet e tyre.

Sipas deputetes, problematikat nuk lidhen vetëm me mungesën e sinjalistikës, por edhe me ngushtësinë e rrugës, qarkullimin e vazhdueshëm të mjeteve të tonazhit të rëndë dhe dëmtimet e herëpashershme të trasesë.

“Aty e ke të pamundur të bësh parakalime. Kamionët qarkullojnë pa orar dhe rruga është e ngushtë. Kjo e rrit ndjeshëm rrezikun për aksidente”, tha ajo.

Në fund, Vata kërkoi më shumë përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë së përdoruesve të këtij aksi të rëndësishëm kombëtar, i cili lidh Dibrën me Tiranën.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related