Autoritetet gjermane kanë parandaluar një sulm të mundshëm terrorist duke arrestuar pesë persona në zonën e Dingolfing, në Bavarinë e Poshtme, të dyshuar për planifikimin e një sulmi në një treg Krishtlindjesh.
Sipas informacioneve zyrtare, mes të arrestuarve janë tre shtetas marokenë, një shtetas egjiptian dhe një shtetas sirian. Operacioni u zhvillua nga policia dhe shërbimet e sigurisë gjermane, pas sinjalizimeve serioze për një rrezik të mundshëm ndaj sigurisë publike.
Media gjermane Bild raporton se informacioni kyç që çoi në arrestimet u sigurua nga një agjenci e huaj e inteligjencës, e cila kishte paralajmëruar autoritetet gjermane për planin e dyshuar. Ky bashkëpunim ndërkombëtar u konsiderua vendimtar për ndërhyrjen në kohë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi objektivin e saktë, mënyrën e sulmit apo fazën konkrete në të cilën ndodhej plani, por kanë konfirmuar se hetimet janë në vijim dhe se rreziku është neutralizuar.
Ngjarja ka rritur ndjeshëm nivelin e sigurisë në tregjet e Krishtlindjeve në Gjermani, të cilat çdo vit frekuentohen nga mijëra qytetarë dhe turistë. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, por vigjilentë, duke garantuar se masat e sigurisë janë forcuar në të gjithë vendin.
