Departamenti amerikan i Shtetit tha se kundërshton çdo veprim të udhëheqësve lokalë në Bosnjë e Hercegovinë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin e shtetit. Kjo deklaratë u bë nga zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce, pasi Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e dënoi presidentin e entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit.
“Shtetet e Bashkuara kanë investuar për dekada për një Bosnje e Hercegovinë stabile. Ne kundërshtojmë fuqishëm çdo veprim nga udhëheqësit lokalë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin. Ne mbështesim Marrëveshjen e Dejtonit dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”, shkroi në X, zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce.
Dodik është futur dy herë në listën e zezë amerikane për shkak të aktiviteteve të tij kundër Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të arritur më 1995. Më 26 shkurt, Gjykata në Bosnjë e Hercegovinë shqiptoi dënimin ndaj Dodikut për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt. Ndërkaq, i akuzuari i dytë në këtë rast, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Llukiq, u lirua nga akuzat.
