Deklarata e Ramës për Korporatën e Investimeve / Tabaku: Në Shqipëri merr prona publike për t’ua dhënë privatëve

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për Korporatën Shqiptare të Investimeve, duke i cilësuar ato si gjysmë-të-vërteta dhe krahasime të rreme me modelin italian.

Sipas Tabakut, ndryshe nga ajo që pretendon Rama, në Itali nuk ekziston një institucion me funksione të ngjashme me Korporatën Shqiptare të Investimeve. Ajo thekson se modeli italian bazohet në ndarje të qarta funksionesh: institucionet financiare mbështesin projekte strategjike, ndërsa agjencitë shtetërore administrojnë pronën publike, pa e tjetërsuar dhe pa e futur atë në pazare ndërtimi.

“Cilindo model italian të marrë si referencë Kryeministri, rezultati është i njëjtë: në Itali funksionet janë të ndara qartë me ligj. Banka financon, agjencia administron pronën; ndërsa në Shqipëri gjithçka është përqendruar në një ent të vetëm, pa garë dhe pa llogaridhënie”, shprehet Tabaku.

Ajo sqaron se në Europë institucionet publike veprojnë me rregulla strikte transparence, prokurimi publik dhe kontrolli institucional, ndërsa Korporata Shqiptare të Investimeve, sipas saj, nuk menaxhon fonde, por merr prona publike me vendime qeverie dhe i kalon ato në marrëveshje ndërtimi me privatë, duke shmangur konkurrencën e hapur.

Tabaku nënvizon se ky model cenon interesin publik dhe krijon hapësira për abuzim me pasurinë shtetërore, duke e shndërruar shtetin në një aktor ndërtimi që njëkohësisht është edhe arbitër i vetvetes. Sipas saj, rreziku financiar i kësaj skeme nuk reflektohet sot në buxhet, por u lihet qytetarëve si faturë për të ardhmen.

Si shembull konkret, ajo përmend kalimin e godinës së ish-shkollës jetimore “Zyber Hallulli” te Korporata e Investimeve, duke theksuar se një pronë me funksion social iu hoq fëmijëve jetimë pa debat publik dhe pa transparencë, për t’u futur më pas në logjikën e zhvillimit imobiliar.

“Në një shtet europian, prona publike do të rikonstruktohej dhe funksioni social do të ruhej. Në Shqipëri ndodhi e kundërta: fëmijët u larguan, funksioni social u zhduk dhe prona publike u kthye në biznes ndërtimi për interesat e një pakice”, thekson Tabaku.

Në përfundim, ajo shprehet se krahasimi me Italinë nuk qëndron dhe nuk mund të shërbejë si justifikim për mënyrën se si, sipas saj, Korporata Shqiptare e Investimeve po përdoret për të tjetërsuar pronën publike në dëm të interesit qytetar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related