Parkimi në rresht të dytë nuk do të ndëshkohet më vetëm me gjobë, por do të konsiderohet vepër penale. Ndryshimi është miratuar në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme dhe parashikon dënime më të ashpra për shkeljet që pengojnë qarkullimin rrugor.
Sipas relatorit socialist Ervin Hoxha, masa synon rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pasi parkimi dysh bllokon shpesh rrugët dhe mjetet e emergjencës. Ndryshimet synojnë gjithashtu parandalimin e bllokimeve totale të akseve kryesore dhe garantimin e lëvizjes së lirë për këmbësorët.
Kodi Penal do t’u japë institucioneve të zbatimit të ligjit më shumë kompetenca për ndërhyrje të menjëhershme në raste emergjente, duke e kthyer shkeljen nga kundërvajtje administrative në përgjegjësi penale.
Në të njëjtën mbledhje u miratuan edhe ndryshime të tjera, përfshirë rritjen e mbrojtjes ligjore për gazetarët në detyrë dhe masa të reja për kontrollin e importit dhe eksportit të armëve të zjarrit.
