“Dëgjova ulërima…”/ Dëshmia e të afërmes për krimin në Roskovec: Ishin njerëz të mirë, s’e prisnim kurrë

Data

Ngjarja tragjike në Roskovec, ku një i moshuar vrau bashkëshorten dhe më pas humbi jetën edhe vetë, vijon të tronditë komunitetin, ndërsa të afërmit rrëfejnë detaje të dhimbshme nga ajo që ndodhi.

Natasha Vrapi, e afërme e çiftit, tregoi se marrëdhënia mes Shefit dhe Dashurie Rrapaj dukej e mirë dhe se ata konsideroheshin njerëz të qetë dhe korrektë.

Sipas saj, kontaktet me ta kishin qenë të vazhdueshme, madje kishin kaluar edhe kohë bashkë në përditshmëri. Ajo kujton se Dashuria ishte e përkushtuar ndaj bashkëshortit, për të cilin shpesh thoshte se ishte i sëmurë dhe nuk mund ta linte vetëm për shumë kohë.

“Kanë qenë njerëz të mirë, shkonin shumë me njëri-tjetrin. Nuk e di se nga u erdhi kjo”, u shpreh ajo.

E afërmja tregoi gjithashtu momentin kur mori vesh për ngjarjen, duke thënë se kishte dëgjuar ulërima që e alarmuan menjëherë.

“Kur u ktheva, dëgjova ulërima dhe më pas mora vesh çfarë kishte ndodhur. U trondita shumë”, tha ajo.

Sipas dëshmisë, në banesë ndodhet vetëm trupi i pajetë i 75-vjeçares, ndërsa trupi i autorit ndodhet ende në morg dhe nuk është tërhequr nga familjarët. Në shtëpi janë mbledhur të afërmit e viktimës, ndërsa mungojnë familjarët e burrit.

Çifti kishte nëntë fëmijë, shumica e të cilëve jetojnë jashtë vendit. Ngjarja dyshohet të ketë ardhur pas konflikteve të vazhdueshme në familje, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related