Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për çështjen ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është shoqëruar me debate mes mbrojtjes dhe trupit gjykues.
Avokati i Monika Kryemadhit, Redi Llanaj, kundërshtoi akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke argumentuar se çështja nuk ka bazë penale dhe se hetimi, sipas tij, është i motivuar politikisht.
“Vetë SPAK pranon se blerja e vilës nuk ka lidhje me korrupsionin. Kjo çështje nuk është juridike, por politike. Këtu nuk ka fakt penal. Prokurori është kthyer në një vegël”, deklaroi Llanaj gjatë seancës.
Pas kësaj deklarate ndërhyri gjyqtari Erion Bani, i cili i kërkoi avokatit të ruante solemnitetin e procesit dhe të shmangte përdorimin e shprehjeve që mund të konsideroheshin të papërshtatshme ndaj institucioneve të drejtësisë.
Në përgjigje, Llanaj sqaroi se përdorimi i termit “vegël” kishte kuptimin e “instrumentit” dhe nuk synonte të ishte fyes.
Gjatë seancës, mbrojtja kërkoi kryerjen e një akt-ekspertimi të ri kontabël për të ardhurat ndër vite të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, duke kundërshtuar ekspertizën financiare të administruar nga SPAK.
Sipas avokatit, ekspertiza aktuale është e njëanshme dhe duhet të zëvendësohet nga një vlerësim i pavarur.
“Ne kemi paraqitur një akt-ekspertim që kundërshton ekspertizën ekzistuese. Ky është momenti për të caktuar një ekspert të pavarur ose një grup ekspertësh, pasi kemi të bëjmë me një provë thelbësore”, tha ai.
Mbrojtja kërkoi gjithashtu që Adrian Shatku të merret në pyetje përmes letërporosisë ndërkombëtare, me argumentin se dëshmia e tij mund të ndihmojë në sqarimin e rolit të Monika Kryemadhit në marrëdhëniet mes kompanisë UNIFI dhe Vodafone Albania.
Sipas avokatit, Shatku mund të sqarojë mënyrën e njohjes me Kryemadhin, rrethanat e negociimit të kontratës dhe nëse ajo ka pasur apo jo rol në proces.
SPAK pretendon se nga komunikimet e sekuestruara në telefonin e Monika Kryemadhit rezulton se ajo dhe Ilir Meta janë angazhuar për të ndihmuar realizimin e një marrëveshjeje ndërmjet kompanisë UNIFI dhe Vodafone Albania.
Në përfundim, mbrojtja kërkoi që në proces të dëshmojnë edhe disa persona të tjerë, mes tyre Esmeralda Shkjau, Vali Bizhga, kryeministri Edi Rama, Damian Gjiknuri, si edhe deputetë që kanë propozuar ndryshime në ligjin nr. 134/2014, me argumentin se dëshmitë e tyre janë të nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të çështjes.
