Pamje të filmuara në Strasburg kanë nxitur reagime në rrjetet sociale, pasi në to shfaqen drejtues të Partisë Socialiste, mes tyre Taulant Balla, Arbjan Mazniku dhe Pirro Vengu, të ulur në një tavolinë duke luajtur letra gjatë qëndrimit të tyre në qytetin francez.
Në video, Taulant Balla shihet me një puro në dorë, ndërsa së bashku me zyrtarët e tjerë ndodhet në një ambient relaksi.
Momenti ndërpritet nga disa qytetarë, të cilët u drejtohen me pyetje dhe kritika lidhur me situatën në Shqipëri dhe protestat që po zhvillohen në vend.
“Çfarë po bëni për Shqipërinë? Po luani me letra, po kënaqeni?”, dëgjohen të thonë qytetarët në video.
Ata i akuzojnë gjithashtu zyrtarët se po shijojnë luksin gjatë qëndrimit jashtë vendit, ndërsa në Shqipëri vijojnë protestat qytetare.
Pamjet janë komentuar edhe nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili gjatë një ndërhyrjeje në Parlamentin Europian ironizoi Taulant Ballën.
“Taulantit do t’i shkonte puro shumë më tepër po mos ta fshihte… por duket se instinkti i vjen natyrshëm”, u shpreh Bardhi.
Pamjet kanë gjeneruar reagime të ndryshme në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, ndërsa deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Taulant Balla apo zyrtarët e tjerë të përfshirë në video.
