Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria nuk planifikon për momentin ngritjen e Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve, por do të vazhdojë të monitorojë nga afër tregun.
Pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj tha se institucionet po ndjekin zhvillimet në tregun e karburanteve pas rritjes së çmimeve të ndikuar nga tensionet në Lindjen e Mesme.
Sipas saj, qeveria ka zhvilluar një takim me kompanitë e sektorit dhe Shoqatën e Hidrokarbureve për të diskutuar situatën dhe për të rikujtuar detyrimet që kanë për rezervat e karburanteve.
“Jemi duke monitoruar çmimet e bursës për naftën, benzinën dhe gazin, por edhe çmimin me të cilin karburanti del nga dogana dhe më pas shitet në treg. Nëse do të ketë abuzime apo spekulime nga pikat e shitjes me pakicë, do të ndërhyjmë”, u shpreh ministrja.
Ajo kujtoi se gjatë krizës energjetike të viteve 2022–2023 ishte ngritur një Bord Transparence që përcaktonte çmimet e shitjes, por sipas saj aktualisht situata nuk është në nivelin që kërkon rikthimin e këtij mekanizmi.
Megjithatë, Ibrahimaj theksoi se nëse çmimet do të rriten më tej, qeveria mund të marrë masa shtesë, përfshirë edhe rikthimin e bordit.
Sipas të dhënave të tregut, më 10 mars u regjistrua një nga nivelet më të larta të çmimit të naftës në vend, ku një litër arriti deri në 198 lekë. Gjatë ditës së sotme çmimi ka shënuar një rënie të lehtë, duke zbritur në rreth 193 lekë për litër.
Ndërkohë, të dhënat e doganave tregojnë se çmimi i importit të naftës ka pësuar rënie në bursat ndërkombëtare, duke zbritur nga 1172 dollarë për ton në rreth 1057 dollarë për ton.
