Në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua sot një seancë e tensionuar, ndërsa deputetët diskutuan projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për Diasporën”. Opozita ngriti shqetësime serioze për synimet e nismës, duke akuzuar qeverinë se po tenton të shtojë kontrollin ndaj bashkësive shqiptare jashtë vendit.
Shehu: Rilindja largoi shqiptarët, Diaspora po përdoret politikisht
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, deklaroi se qeveria po synon “kontroll të plotë shtetëror” ndaj diasporës përmes mekanizmave të rinj institucionalë që, sipas tij, mungojnë në transparencë dhe pavarësi.
“Diaspora është viktimë e braktisjes masive të vendit si pasojë e regjimit të Rilindjes. Qeveria nuk mund të mendojë se e zgjidh këtë problem me qendra kulturore apo me masa represive. Nuk duhet të kemi metoda arbitrare për t’i mbajtur shqiptarët të lidhur me vendin,” tha ai.
Shehu kujtoi si shembull rastin e studentëve të Mjekësisë, të cilëve u kërkohej të punonin tre vite në Shqipëri përpara se të largoheshin jashtë vendit, duke e cilësuar këtë si “absurd” dhe shkelje të lirisë profesionale.
Akuza për përdorim politik të Diasporës dhe manipulim të votës
Deputeti demokrat vuri në dukje edhe një tjetër problem: sipas tij, Diaspora po përdoret për qëllime elektorale.
“Diaspora shfrytëzohet si mjet për të deformuar proceset e votimit, si rasti i zgjedhjeve të 11 majit, ku u shkatërrua vota e diasporës. Kjo është e papranueshme. Institucionet e Diasporës duhet të jenë të pavarura, jo politikisht të varura nga qeveria,” deklaroi Shehu.
Ai theksoi se projektligji i ri rrit kontrollin shtetëror mbi agjencitë e diasporës dhe nuk garanton pavarësinë e tyre institucionale.
Kritika për mungesë mbështetjeje financiare
Shehu u shpreh gjithashtu se qeveria nuk po parashikon burimet financiare të nevojshme për të afruar diasporën dhe për të tërhequr profesionistë dhe figura akademike shqiptare që jetojnë jashtë.
“Pse nuk kërkohet rritja e buxhetit për diasporën? Kjo kërkon investime serioze. Ky ligj, në vend që të nxisë afrimin, rrezikon të ketë efekt të kundërt. Unë jam kundër metodave të Rilindjes për të kontrolluar diasporën shqiptare,” tha ai në mbyllje.
Rendi i ditës i Komisionit
Gjatë mbledhjes u shqyrtuan:
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 16/2018, ‘Për diasporën’, i ndryshuar”.
- Projektligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
Debati pritet të vijojë në seancat e ardhshme, ndërsa opozita ka paralajmëruar kundërshtim të fortë ndaj çdo nisme që, sipas tyre, synon instrumentalizimin politik të diasporës.
