Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale është mbledhur për të diskutuar ecurinë e punës dhe raportet e përgatitura nga ekspertët.
Bashkëkryetari i Komisionit, deputeti Luciano Boçi, kritikoi përpjekjen e mazhorancës për ta përshpejtuar procesin, duke pretenduar se disa prej etapave të parashikuara në kalendarin e miratuar ende nuk janë përmbushur.
“Ne e ftojmë Komisionin të respektojë veten dhe vendimet që ka miratuar. Kemi një projektkalendar dhe nuk mund të digjen etapat e përcaktuara në të”, deklaroi Boçi.
Sipas tij, raporti i paraqitur mbështetet kryesisht te reforma territoriale e vitit 2014, ndërsa Komisioni duhet të realizojë fillimisht një analizë të plotë të modelit aktual dhe më pas të përcaktojë parimet e reformës së re.
Boçi ngriti pikëpyetje edhe për punën e ekspertëve të mazhorancës për një ndarje të re territoriale, në një kohë kur, sipas tij, ende nuk janë miratuar metodologjia dhe kriteret që duhet të udhëheqin procesin.
“Si mund të kenë punuar ekspertët e mazhorancës për Reformën Administrativo-Territoriale 2, kur ende nuk kemi përcaktuar parimet e saj?”, pyeti ai.
Deputeti demokrat deklaroi se procesi i dëgjesave nuk ka përfunduar. Ai përmendi mungesën e dëgjesës për Qarkun e Tiranës dhe mosparaqitjen në Komision të disa kryetarëve të bashkive, përfshirë ata të Tiranës, Vlorës, Shkodrës dhe Lezhës.
Sipas Boçit, nuk janë zhvilluar ende konsultimet me komunitetet, grupet e interesit dhe institucionet ndërkombëtare, ndërsa nuk është kryer sondazhi publik dhe as vizitat studimore të parashikuara në projektkalendar.
Për këtë arsye, ai kërkoi që afati i Komisionit të shtyhet deri në muajin tetor, në mënyrë që puna të përfundojë pa nxitim dhe në përputhje me afatet kushtetuese për ndryshimet ligjore.
Boçi argumentoi se edhe afati i Komisionit për Reformën Zgjedhore është shtyrë dhe se puna e dy komisioneve është e lidhur drejtpërdrejt.
“Kemi plotësuar vetëm dy pika e gjysmë të projektkalendarit. Duhet të bëjmë një punë që u shërben qytetarëve, jo një reformë të nxituar dhe të paracaktuar”, u shpreh ai.
Sipas deputetit, dëgjesat e zhvilluara deri tani nuk kanë treguar mbështetje të gjerë për reduktimin e numrit të bashkive. Ai tha se disa prej propozimeve kërkojnë ruajtjen e 61 bashkive aktuale ose shtimin e numrit të tyre.
