Debat në Komisionin e Ligjeve, Blushi–Manja për reformën në drejtësi dhe Ballukun: “E provoi Belinda, do ju vijë radha” – “Jeni 7 vjet mbrapa”

Data

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve u zhvillua një debat i ashpër mes deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, dhe kryetarit të komisionit Ulsi Manja, gjatë shqyrtimit të projektligjit për ndryshime në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Projektligji u prezantua nga deputeti Olsi Komici, ndërsa Blushi e cilësoi nismën si të njëanshme dhe të pakonsultuar me opozitën, duke akuzuar mazhorancën se po tenton të kontrollojë reformën në drejtësi.

Blushi iu referua edhe zhvillimeve të fundit, duke pretenduar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë zëvendëskryeministren Belinda Balluku i shërben, sipas tij, mundësisë për të ndërhyrë dhe fshehur prova.

“Imunitet ka vetëm Rama”

Gjatë fjalës së tij, Blushi deklaroi se mazhoranca “e ka kapur reformën në drejtësi”, duke shtuar se “imunitet ka vetëm Edi Rama”, ndërsa socialistët, sipas tij, do të përballen një nga një me pasojat e asaj që e quajti “Ramaformë”.

“Ju paralajmëroj të gjithëve se do të bëheni subjekte të Ramaformës. E provoi Belinda. Do ju vijë radha edhe juaj,” u shpreh Blushi në komision.

Manja: “Jeni 7 vjet mbrapa”

Nga ana tjetër, Manja reagoi me ironi, duke i thënë Blushit se po rikthen tema të vjetra dhe se “janë 7 vjet mbrapa”, ndërsa e akuzoi se po përdor deklarata të gatshme për konsum mediatik.

“Më serioz se kaq… kjo që po thoni ju është pjesa e dytë. E para u lexua, kjo do dalë nesër,” tha Manja, duke sugjeruar se deklaratat e Blushit janë të paracaktuara.

“Pyetja të erdhi në telefon?”

Në një moment tjetër, kur Blushi tha se kishte edhe një pyetje shtesë, Manja e ironizoi sërish:

“Tani i erdhi pyetja në telefon…”, u shpreh Manja, ndërsa vijoi me batuta mbi burimin e pyetjeve dhe ndërhyrjet e strukturave të partisë.

Blushi nga ana e tij këmbënguli se pyetja lidhej me interesin publik dhe me rolin e Gjykatës Kushtetuese si “barriera e fundit e ligjshmërisë”, duke e krahasuar rikthimin e Ballukut në detyrë me situata që, sipas tij, tregojnë standarde të dyfishta.

Debati vijoi me replika të ndërsjella, ndërsa Manja theksoi se nismat do të shqyrtohen edhe në funksion të procesit të integrimit dhe se do të merren opinionet e institucioneve përkatëse.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related